Albin Kurti është frontman, por jo i ndonjë bendi. Ai, o hap fronte o përfshihet në to. E të numërta i kishte gjatë vitit, por si kryeministër, në disa sosh u spraps.
Tha shumë gjëra për dialogun Kosovë-Serbi, dhe këmbënguli se ai duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër. Ndërkohë, ra dakord për negociata konform planit franko-gjerman, të cilit i mungon ky komponent. E çoi deri në fund përcaktimin për të mos lejuar as referendum e as zgjedhje serbe në Kosovë, por u spraps nga vendosja me çdo kusht e ligjshmërisë në veri, si në rastin e suspendimit të vendimit për targat ilegale. E, në hallakamën për targat, hapi fronte dhe me vetë kryediplomatin evropian, Joseph Borrell.
U përfshi në frontet e hapura nga opozita. Në raport me to nuk lëshoi pe shumë, por pati edhe raste tërheqjeje, si nga njëri prej premtimeve kryesore të tij – vettingu, arkitektura e të cilit do të vendoset nga një grup ndërpartiak në kuvend dhe jo nga qeveria.
Edhe sindikatat i hapën front. Kurti u përball me grevë në arsim e administratë. Për kohë të gjatë refuzoi komunikimin me sindikalistët, por greva u pezullua, tek pasi pjesërisht përmbushi kërkesat. Kjo është muzika e tij.