Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Personalitetet 2021/ Viola von Cramon: Si të jesh mike e Kosovës e të mos kritikohesh në Serbi

Për të mos gabuar duhet t’ia përmendim emrin e plotë Viola von Cramon-Taubade.

Politikania gjermane nga radhët e të gjelbërve është raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian.

Ajo ka vazhduar traditën e paraardhësve të saj si raportues për Kosovën, të cilët që nga periudha para shpalljes së pavarësisë kanë qenë nga radhët e partisë së gjelbër. Nga Josst Langedijk i Holandës, Ulrike Lunaçek e Austrisë e deri tek Igor Soltes i Sllovenisë, të gjithë kanë ndjekur një lojë: mbështetje për pavarësinë e Kosovës, thirrje shteteve të BE-së që ta njohin pavarësinë, thirrje që sa më parë të liberalizohen vizat për qytetarët e Kosovës. Ah, sikur t’i kishin dëgjuar të gjithë në BE këto thirrje! Por kjo nuk e ul rëndësinë e saj. Ajo vazhdon të jetë zë i fortë dhe i guximshëm i Kosovës, por edhe zë kritik ndaj dukurive negative. Dhe nuk është lehtë të jesh zë i dashur për kosovarët e të kesh imazh të mirë edhe në Serbi.

Pa dyshim nuk ka politikanë nga Evropa të cilët politikanët nacionalistë në Serbi e zënë në gojë më shumë se Viola von Cramon sa herë që qortohen për diçka që nuk u pëlqen. Me gjasë, me ardhjen në pushtet në Gjermani, si partner i koalicionit të Semaforit, edhe ndikimi i saj në nivelin evropian do të rritet. Me të si raportuese nuk ka dyshim se do të vazhdojë mbështetja e Parlamentit Evropian për Kosovën, për njohje ndërkombëtare, liberalizim vizash dhe shumë qëllime të tjera.