Interpelanca e kryeministrit Mustafa lidhur me problemet e shpronësimit të pronave buzë minierës së thëngjillit ka përplasur partnerët e koalicionit qeveritar PDK-LDK.
Deputetja e LDK-së, Melihate Tërmkolli, ka akuzuar PDK-në se ka shkatërruar sektorin energjetik e sidomos KEK-un, veprime për të cilat, sipas saj, janë plasuar dhe nëpër media edhe po zhvillohen seanca gjyqësore.
Një deklarim i tillë ngriti në këmbë deputetët nga PDK-ja. Ishte vet kryeministri Mustafa që tha se secila qeveri duhet të përgjigjet për veprimet e veta të bëra në sektorin e energjisë.
Ai përmendi edhe se si për një kohë ministritë, komuna e Obiliqit dhe KEK-u nuk pranonin t’i merrnin përgjegjësitë që u takonin në çështjen e shpronësimeve.
Nga ana tjetër, deputetja Donika Kadaj Bujupi, ia rikujtoi kryeministrit se më 2009, kur pjesa e Shipitullës dhe Hadës u bënë zonë me interes të veçantë dhe ku u lejuan ndërtimet e shumta pa leje, qeveria drejtohej nga po i njëjti koalicion.