Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Përkujtohen të rënët e familjes Rama

Dhjetë dëshmorët e familjes Rama janë përkujtuar në një tubim në Obiliq, ku u tha se sakrifica e tyre ishte drejtpërdrejt vazhdimësi dhe frymëzim i sakrificës së familjes Jashari nga Prekazi.

Dëshmorët e familjes Rama, në mesin e tyre edhe fëmijë, janë vrarë para 23 vjetëve nga forcat serbe me rastin e fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër ish-Jugosllavisë.

Për t’i nderuar të rënët e familjes Rama, sot u vendosën kurora lulesh pranë lapidarit në këtë qytet.

Kryetar i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, rënien e anëtarëve të kësaj familjeje, e konsideroi si sakrificën më të lartë për atdheun.

“Kjo sakrificë, është sakrifica më e lartë që njeriu mund ta mendojë si flijim për atdhe. Dhe unë e konsiderojë sakrificën e familjes Rama drejtpërdrejt si vazhdimësi dhe si frymëzim i sakrificës së familjes Jashari nga Prekazi”, tha Konjufca.

Ai shtoi se sakrifica e familjes në luftën për liri nuk është rënie momentale, por ajo garanton themelet e forta të shtetit.

“Kjo është një familje e madhe e Kosovës e cila u sakrifikua duke luftuar bashkë, burra dhe gra për lirinë e fëmijëve tonë, për lirinë e brezave që kanë ardhur. Sakrifica e dëshmorëve kurrë nuk është një rënie momentale e jetës. Rënia e dëshmorëve na i garanton themelet e forma të shtetit dhe të lirisë tonë, dhe na frymëzon e na jep shembull që edhe në të ardhmen kurdo e sa herë që është në rrezik atdheu, na tregon se s’di duhet të veprojmë saktë, si mbrohet liria dhe si për liri nuk kursehet asgjë duke përfshirë edhe jetën e njeriut”, tha Konjufca.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi tha se familja Rama ishte çerdhe e UÇK-së.

“Familja Rama ishte një çerdhe e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Andaj e dimë të gjithë që kjo ditë sa është lavdi është edhe dhimbje për familjen Rama, për bashkëveprimtarët”, tha Gashi.

Më 27 mars 1999, kanë rënë Ismet Halil Rama (1945), me dy bijt e tij, Agron Ismet Rama (1969), dhe Albert Ismet Rama (1983). Faruk Izet Rama (1976). Xhevat Qamil Rama (1948), me dy bijat e tij, Shqipe Xhevat Rama (1980) dhe Syzana Xhevat Rama (1974). Bejtush Halil Rama (1959). Xheladin Qamil Rama (1954), me bashkëshorten e tij, Hamide Rama (1956).

Artikuj të ngjashëm