Është mbajtur akademi përkujtimore për Tahir e Nebih Meha dhe 20-vjetorin e rënies së Malush Ahmetit dhe 31 dëshmorëve, të komunës së Skenderajt.
Kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, tha se po përkujtohen dëshmorët, luftëtarët e etapave të ndryshme të historisë shqiptare, që luftuan me çfarëdo që kishin kundrejt një force shkatërrimtare, siç ishte armiku ynë i përbetuar.
"Në një ditë si kjo, 38 vite më parë, Kulla e Nebih Mehës ishte gjendur e rrethuar nga milicia serbe, që për detyrë kishin arrestimin e të pabindurit Tahir Meha. Ajo që njihej në atë kohë si ‘Dita e Milicisë’, vërtetë doli të jetë e tillë, madje u doli për hundësh aksioni i arrestimit, pasi përreth kullës së rezistencës kishin mbetur të vdekur disa milicë serb. Në përpjekje për ta çarë rrethimin, meqë po iu mbaronte municioni, kishin rënë në altarin e lirisë, babë e djalë, Nebih e Tahir Meha, duke shkruar kështu një faqe të veçantë të heroizmit dhe sakrificës së popullit shqiptar për liri dhe pavarësi nga okupatori jugosllav”, ka thënë ai.
Sipas tij, ata ranë në fushën e nderit, dhe askush nga bashkëfshatarët e tyre madje as burrat e familjes Jashari, nuk arritën t’u dalin në ndihmë, nga rrethimi i çeliktë me tanke dhe autoblinda të shumta.
“Por, në ditën e varrimit të Nebih e Tahir Mehës u bë një betim. Shaban Jashari me dy djemtë e tij, Ademi e Hamza, tashmë ishin zotuar se krismat e pushkës nuk do të ndalen deri në çlirimin përfundimtar të Kosovës, nga okupatori serb", tha ai.
Jashari ka përkujtuar edhe dëshmorët tjerë të UÇK-së, Malush Ahmetin dhe 31 heronj të tjerë të kombit në 20-vjetorin e rënies.
Nga shoqatat e dala nga lufta ka folur Hysni Gucati, i cili tha se gjaku i dëshmorëve është themeli i Kosovës.
Edhe
Maqedonci: UÇK-ja themel i Ushtrisë së tashme të Kosovës
"Këtu e 20 vjet më parë bëhej luftë çlirimtare, luftë e drejtë me të vetmin qëllim për lirinë e kombit. Sakrifica e tyre e nisur nga Nebih e Tahir Meha duhet të na shërbejë si udhërrëfim, gjaku i dëshmorëve të rënë është themeli i Kosovës. Lavdia le të jetë e tyre, kurse puna na mbetet neve", tha ai.
Në emër të familjarëve ka folur mbesa e Tahir Mehës, Ajete Mala, e cila tha se ndjehet krenare për veprat e dëshmorëve, transmeton KsP.
"Në çdo përvjetor ndjehemi krenar për veprat që dëshmorët tanë lanë pas, ndjehemi krenar. Duke u përkulur me pietet ndaj veprës së dëshmorëve tanë, neve të rinjve na mbetet të punojmë më shumë për vendin tonë", tha ajo.