Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Përkeqësohet kriza politike në Shqipëri

Në kaos politik ka hyrë Shqipëria, raporton KTV.

Përkundër dekretit të presidentit Ilir Meta për anulimin e zgjedhjeve lokale në fund të këtij muaji, Partia Socialiste kërkon respektimin e afatit kohor për mbajtjen e tyre.

Rezultat i mospajtimeve kanë qenë skenat e dhunës nga ana e opozitës, PD-së dhe LSI-së, kundër mbajtjes së zgjedhjeve.

Mbështetësit e opozitës në shumë komuna të udhëhequra nga opozita, kanë djegur materialet zgjedhoret nëpër Komisionet Zonale Zgjedhore.

Kriza politike në Shqipëri ka filluar tash e disa javë, kur deputetët e opozitës dorëzuan mandatet e tyre në Kuvend. Situata politike është përkeqësuar edhe më shumë, kur presidenti Ilir Meta, me një dekret, anuloi zgjedhjet e 30 qershorit. Partia Socialiste, që udhëhiqet nga kryeministri Edi Rama, insiston në mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.

Edhe Shqipëria mban zgjedhjet lokale Arbëri Shqipëria mban zgjedhjet lokale

Zëvendëskryeministri Erion Braçe thotë se zgjedhjet do të mbahen, duke u respektuar Kushtetuta e vendit dhe e drejta e qytetarëve për të votuar.

Por, Edi Paloka, nënkryetar i Partisë Demokratike, e akuzon kryeministrin Edi Rama se vendin po e çon drejt diktaturës.

Thotë se zgjedhjet nuk duhet të mbahen pa pasur një marrëveshje të përgjithshme pozitë-opozitë.

Krizën politike në Shqipëri dhe brenda partisë në pushtet, e ka thelluar edhe më tej publikimi i përgjimeve nga gazeta gjermane “Bild”.

Zëvendëskryeministri Braçe nuk sheh asnjë provë se në këto përgjime është kryer ndonjë vepër penale.

Ndërkaq, nënkryetari i Demokratëve, Paloka, thotë se përmes këtyre përgjimeve u dëshmua vjedhja e organizuar e votave.

Analisti Lutfi Dervishi, thotë se Shqipëria është duke shkuar drejt përshkallëzimit të situatës.

Mbajtjen e zgjedhjeve lokale më 30 qershor, nuk e sheh si zgjidhje të krizës së thellë politike.

Edhe Shqipëria në krizë të thellë demokratike Arbëri Shqipëria në krizë të thellë demokratike

Para ndërtesës së Kryeministrisë janë vendosur këto rrethoja të hekurta.

E, në këtë vend, opozita ka paralajmëruar protestën e radhës, duke i kërkuar dorëheqjen kryeministrit Edi Rama.