Sipas presidentit të Shqipërisë Ilir Meta, Shqipëria është në krizë për shkak të mospërgjegjësisë së skenës politike atje.
Ai ka thënë se Qeveria e udhëhequr nga Edi Rama po e shfrytëzon alternativën e frikësimit dhe jo atë të ushtrimit të përgjegjësisë së vet. Sipas tij, kjo e ka çuar vendin në krizë.
“Ka degradim në të gjitha sektorët e shtetit dhe shoqërisë. Jemi në fillimviti ku shpresojmë për zhvillime pozitive. Kemi sot por shumë pak (marrëveshja për zgjedhjet). Shqipëria ishte shumë përpara në vitet 2000 para Serbisë e Malit të Zi në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Ishte proces mjaft dinamik, ndërsa sot po të shohim është në proces të vonuar kur Serbia është shumë e avancuar, gjithashtu Mali i Zi”, ka thënë fillimisht ai në Rubikon.
Sipas Metës, në Shqipëri është dobësuar roli i qytetarit. Ai ka thënë se kjo u bë edhe me ndryshimet kushtetuese kur “u ndërpre lidhja direkte mes deputetit e qytetarit, u vendos për lista të mbyllura”.
“Jemi këtu sepse përgjegjësia është e përbashkët, e mazhorancës sepse kërkon të ushtrojë pushtete jashtë kufijve që përcakton Kushtetuta e që dëmtojnë rëndë parimin e balancës së kontrollit të pushteteve. Përgjegjësi ka edhe opozita për largimin nga parlamenti apo mospjesëmarrja në zgjedhje. S’është përgjegjësi vetëm e një force të caktuar, apo individi. Është e përbashkët, por në fund përgjegjësia mendoj se është e atij që ka edhe përgjegjësinë më të madhe për të ushtruar mandatin e qeverisë. Zotit Rama dhe cilitdo. Në një vend me krizë sado që punon qeveria, rezultatet janë vështirë të suksesshme apo qëndrueshme. Mazhoranca ka vetëm një alternativë që është burimi i krizës reale që kemi në Shqipëri. Atë të frikësimit të të gjithëve dhe jo të ushtrimit të përgjegjësive të saj në mënyrë të përgjegjshme, kushtetuese”, ka thënë tutje Meta.
Edhe
Rama: Presidenti Meta duhet të shkarkohet
Sipas tij, ai nuk mund të shkarkohet siç kanë kërcënuar në mesin e pozitës në Shqipëri.
“Ajo e di mirë që mua s’më shkarkon dot, sepse jo vetëm që s’kam shkelur Kushtetutën, por edhe nëse presidenti mund të nxjerrë dekret, sikur parlamenti ligj apo qeveria vendim. Dhe ky vlerësohet se s’është në përputhje me Kushtetutën s’është arsye për shkarkim”, ka thënë ai.