Arbëri

Përfundon me sukses ushtrimi për reagim ndaj krizave i Policisë dhe Ambasadës amerikane

Përfundon me sukses ushtrimi për reagim ndaj krizave i Policisë dhe Ambasadës amerikane

Foto: Driton Paçarada

Policia e Kosovës ka njoftuar se ushtrimi i përbashkët në shkallë të gjerë me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë të premten është realizuar me sukses të plotë. Ushtrimi u zhvillua në zonën e Ambasadës amerikane në lagjen “Arbëria” nga ora 15:00 deri rreth orës 20:30 dhe kishte për qëllim testimin e gatishmërisë institucionale, forcimin e kapaciteteve reaguese si dhe koordinimin ndërmjet njësive relevante në raste krizash dhe emergjencash.

Në këtë aktivitet u angazhuan rreth 790 zyrtarë të profileve të ndryshme. Gjatë ushtrimit u demonstrua funksionimi efektiv i mekanizmave të komunikimit dhe reagimit të shpejtë, si dhe bashkëveprimi i ngushtë ndërmjet zyrtarëve të Policisë dhe personelit të sigurisë së Ambasadës amerikane.

Skenarët e simuluar përfshinë menaxhimin e situatave të ndryshme të krizës, përdorimin e mjeteve të specializuara të sigurisë dhe testimin e procedurave operative në kushte reale.

“Falë profesionalizmit të njësive të angazhuara dhe bashkëpunimit të qytetarëve, ushtrimi u zhvillua pa asnjë incident”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia e Kosovës ka vlerësuar lart performancën e të gjitha departamenteve, drejtorive dhe njësive policore të përfshira, duke falënderuar në mënyrë të veçantë qytetarët dhe pjesëmarrësit në trafik për mirëkuptimin gjatë riorientimeve dhe ndërprerjeve të përkohshme të qarkullimit në zonën e ushtrimit.

Ky ushtrim, sipas Policisë, konfirmon edhe një herë partneritetin e fuqishëm dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me Ambasadën amerikane dhe institucionet e tjera, me qëllim garantimin e një ambienti të sigurt për qytetarët, institucionet dhe stafin diplomatik në Kosovë.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë me aktivitete të ngjashme, në funksion të rritjes së kapaciteteve profesionale, forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe rritjes së nivelit të sigurisë në vend.

Lexo përditësimet tjera
Nis ushtrimi i përbashkët i Policisë me Ambasadën amerikane, kërkohet mirëkuptim nga qytetarët

Për më se 6 orë testohet reagimi policor në situatë krize të simuluar sigurie

Alarmi për emergjencë i aktivizoi pjesëtarët e policisë dhe ata të stafit të Ambasadës amerikane për...