Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Përfundimisht, demarkacionit nuk i jepet zgjidhje as sonte

Vetëm 20 minuta para orës kur do të duhej të niste, Kuvendi i Kosovës zyrtarisht ka njoftuar se seanca e jashtëzakonshme për demarkacionin është shtyrë.

Por nuk tregohet se kur deputetët do t’i japin një epilog çështjes që po mban peng kosovarët tash e tre vjet.

“Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e paraparë për sot, e diel, 18 shkurt 2018, në orën 18:00, nuk do të mbahet. Për ditën e mbajtjes së saj, do të njoftoheni me kohë”, thuhet në njoftimin për media të Kuvendit të Kosovës.

Gjatë ditës, Sekretaria e Kuvendit nuk ka qenë në gjendje të sqarojë nëse mbahet apo jo seanca. Kryeministri Haradinaj i kishte kërkuar kryeparalamentarit Veseli që seanca të mbahet të martën e 20 shkurtit.

Jo zyrtarisht mësohet se për ta votuar demarkacionin janë siguruar votat nga partitë shqiptare të koalicionit qeverisës, nga LDK-ja dhe nga minoritetet joshumicë. Duhen edhe 2-3 vota të cilat po kërkohen ose te Vetëvendosje e cila ka ripërsëritur qëndrimin kundër demarkacionit, ose te Lista Serbe që ka thënë se nuk e sheh me prioritet çështjen e demarkacionit. ​