Përfaqësuesit e Këshillit Prokurorial të Kosovë (KPK) dhe institucioneve të Prokurorit të Shtetit të Kosovës të premten janë pritur në takim nga kryeprokurori i përgjithshëm dhe kryetarja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të Shqipërisë.
Sipas një njoftimit të KPK-së, në këtë takim, përfaqësuesit e sistemit prokurorial nga bashkëbiseduesit janë njoftuar për strukturën, objektivat dhe angazhimet e Prokurorisë së Përgjithshme të Shqipërisë dhe për procesin e punës së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, qasjen reformuese dhe sfidat me të cilat ballafaqohet këto dy institucione.
Gjithashtu thuhet se në këtë takim është diskutuar edhe për procesin e vettingut të prokurorëve.
“Në këtë kontekst, me theks të veçantë është diskutuar për vlerësimin e prokurorëve dhe masat disiplinore për prokurorë, zhvillimin e aftësive organizative, veçanërisht në fushën e bërjes së politikave strategjike prokuroriale, mekanizmave koordinues, zhvillimin e karrierës së prokurorëve, përgjegjësinë e prokurorëve dhe llogaridhënien e tyre, si dhe për mënyrën dhe metodat që janë zbatuar gjatë procesit të vettingut të prokurorëve dhe vlerësimit dhe rivlerësimit kalimtar të tyre bazuar në legjislacionin vendas dhe ndërkombëtar”, thuhet në njoftim.
Po ashtu thuhet se është biseduar gjerësisht edhe për gjetjen e formave të intensifikimit të bashkëpunimit, siç theksohet duke shprehur gatishmërinë e dyanshme për vazhdimin e shkëmbimit të përvojave në shërbim të ngritjes së kapaciteteve profesionale të prokurorëve të të dyja vendeve.
Sipas njoftimit palët kanë theksuar se mbeten të përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit në kuadrin e programeve dhe të reformave në mes sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës dhe sistemit prokurorial të Republikës së Shqipërisë, siç thuhet “me anë të zbatimit të praktikave më të mira të përbashkëta lidhur me luftimin e krimit dhe veprave penale dhe proceseve reformuese, me qëllim që të arrihen rezultate pozitive dhe efikase”.