Seanca për zgjedhjen e qeverisë, presidentit e konstituimi i komisioneve parlamentare e kanë karakterizuar punën e deputetëve që nga 22 marsi, kur edhe zyrtarisht kanë marrë mandatin. Për tri javë, Kuvendi është mbledhur vetëm katër herë, prej të cilave tri kanë qenë seanca të jashtëzakonshme. Një pjesë të fajit për një gjë të tillë, opozita ia ka lënë Qeverisë e mosmiratimit të agjendës legjislative të saj. E qeveria ende nuk ka një datë se kur do të miratojë programin qeverisës e kësisoj, edhe agjendën legjislative
Tri javë nga konstituimi, të pakta kanë qenë punët që janë bërë nga Kuvendi i Kosovës.
Përveç në mbledhjen konstituive të disa prej komisioneve e votimit të qeverisë, deputetët që nga 22 marsi kanë marrë pjesë në vetëm tri seanca, prej të cilave dy të jashtëzakonshme.
Fajin për një gjë të tillë, Partia Demokratike e Kosovës ia ka lënë pasivitetit të Qeverisë së Kosovës.
Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri e ka kritikuar ekzekutivin për mungesë të programit e të agjendës legjislative.
“Ne si Kuvend varemi shumë edhe nga iniciativat e qeverisë që po duken që kanë me qenë tejet të mangëta dhe shumë të paketa sa i përket pra ardhjes së tyre në Kuvend dhe që rrjedhimisht e tregon mos punën e kësaj Qeverie”, ka thënë ai.
E nga Qeveria e Kosovës nuk kanë dhënë ndonjë datë se kur do të miratojnë programin qeverisës e agjendën legjislative, ndonëse kanë thënë se kjo do të ndodhë shumë shpejt.
“Programi i Qeverisë dhe Plani i Punës janë në fazën e harmonizimit të strategjive, prioriteteve dhe masave sektoriale të të gjithave ministrive dhe finalizimit teknik. Përkrah tyre është duke u hartuar edhe Agjenda Legjislative e Qeverisë, e cila buron nga Programi i Qeverisë. Ndërkohë janë duke u zhvilluar takime intensive në baza ditore në mes Departamentit për Planifikim Strategjik në Zyrën e Kryeministrit dhe ekipeve punuese të ministrive me synim përshpejtimin e finalizimit të tyre. Shumë shpejt presim që këto dokumente të dalin për votim në mbledhjen e Qeverisë dhe pastaj të barten për diskutim në Kuvend të Republikës së Kosovës”, është shprehur zëdhënësi Përparim Kryeziu.
Përgjigje lidhur me atë se kur do të mbahen mbledhjet e rregullta të kryesisë, e për programin e punë, nuk kanë dhënë nga Kuvendi. Në një përgjigje, të shkurtër nga ky institucion, thuhet se për agjendën duhet referuar ueb-faqes së Kuvendit.