Për afro dy muaj, Kuvendi i Kosovës ka mbajtur vetëm tri seanca plenare. Ngecja e punës së Kuvendit sipas monitoruesve të tij ka ndodhur si pasojë e angazhimit të deputetëve në zgjedhjet lokale. Kësisoj, agjenda e paraparë për këtë vit do të jetë e pamundur që të përmbushet plotësisht pasi që, nga konstituimi, Kuvendi ka arritur të miratojë vetëm 11 ligje nga 65 gjithsej sa kanë qenë në procedurë
Që prej kur ka nisur sesioni vjeshtor, Kuvendi i Kosovës ka mbajtur vetëm tri seanca. Një është mbajtur në shtator e dy të tjera në tetor. Kësisoj, prej fillimit të kësaj legjislature, gati 8 muaj më parë, janë miratuar vetëm 11 projektligje. Sipas monitoruesve të punës së Kuvendit, ngecja e punimeve ka ndodhur për shkak të angazhimit të deputetëve për zgjedhjet lokale, gjë e cila ka sjellë edhe pasojat në mospërmbushjen e agjendës legjislative. Së fundmi, disa herë radhazi kanë dështuar edhe mbledhjet e Kryesisë së Kuvendit, që ka pamundësuar edhe caktimin e seancave të reja plenare. Kjo, përveç deputetëve e nënkryetarëve të cilët janë angazhuar drejtpërdrejt në zgjedhje, po ndodh edhe për shkak të bojkotimit të punës së Kuvendit nga deputetët e Listës Serbe. Ky stagnim pritet ta përcjellë Kuvendin edhe javëve në vijim për shkak të fushatës e balotazhit që do të mbahet së shpejti, gjë që vlerësohet se do ta pamundësojë përmbushjen e agjendës legjislative të Kuvendit të paraparë për këtë vit.
Për moszhvillim të punimeve, Agnesa Haxhiut nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se ka pasur një lloj dakordimi të heshtur mes grupeve parlamentare që gjatë kësaj kohe të zgjedhjeve të anashkalohen mbledhjet plenare.
“Sesioni vjeshtor është karakterizuar me një dinamikë goxha të ulët të punës dhe kjo normalisht është për shkak të ndikimit që kanë pasur zgjedhjet lokale në punën e Kuvendit dhe është parë një lloj koordinimi joformal, në heshtje, i të gjitha grupeve parlamentare që të mos ketë një dinamikë të shtuar të punës së Kuvendit në mënyrë që ata të fokusohen në zgjedhjet lokale dhe kjo pashmangshmërisht e pengon progresin e përmbushjes së agjendës legjislative”, ka thënë ajo.
Përveç seancave të pakta, ka disa herë që janë duke dështuar edhe mbledhjet e Kryesisë së Kuvendit si rezultat i mungesës së kuorumit, meqë për shkak të fushatës zgjedhore ka qenë e pamundur prania e disa deputetëve e nënkryetarëve që kanë qenë edhe kandidatë për kryetarë komunash. Tashmë njëri nga nënkryetarët, Bedri Hamza, i cili ka fituar në raundin e parë të zgjedhjeve e ka liruar këtë pozitë dhe gjithashtu është duke vazhduar bojkotimi i Listës Serbe ndaj punës së Kuvendit, gjë e cila mund të rezultojë me mosfunksionim të mëtutjeshëm të Kryesisë.
“Kemi pasur një nënkryetar që ka garuar për kryetar komune dhe tash vetëm se e ka marrë pozitën atje dhe e ka liruar pozitën e nënkryetarit. Aktualisht e kemi minus një anëtar në Kryesi dhe pa zgjedhjen e tij do të jetë kështu njëfarë problematike për ta të funksionojnë në mënyrë të rregullt në qoftë se vazhdon ta bojkotojë punën e Kuvendit Lista Serbe”, ka shtuar ajo.
Haxhiu thekson se deputetët duhet që sa më parë t’i kthehen punës, meqë aktualisht i presin një varg projektligjesh e marrëveshjesh ndërkombëtare, shumë prej të cilave janë prioritare të miratohen, ndër to edhe projektbuxheti për vitin e ardhshëm.