Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinajt me arsyetimin se çdo javë po bën nga një skandal.
Në një konferencë për media, Kurti ka thënë se Haradinaj duhet ta testojë qeverinë e tij me votëbesim në Kuvend.
“Sot janë bërë saktësisht tre muaj të ratifikimit në Kuvend të demarkacionit me Malin e Zi. Edhe pas tre muajve nuk ka asnjë lëvizje lidhur me atë çfarë kryeministri ka thënë para Kuvendit sa i përket korrigjimit sipas raportit Bulliqi të vijës kufitare me Malin e Zi. Praktikisht e ka heshtur këtë çështje dhe nuk po lëviz asgjë në atë drejtim. Koordinatat sipas të cilave duhet të korrigjohet vija kufitare janë në raportin zyrtar por as nuk po përmenden nga kryeministri as nuk po i parashtrohen Malit të Zi. Të gjithë e mbajmë mend, se jo pak deputetë u patën mashtruar pikërisht nga premtimi për korrigjimin që nuk po ndodhë”, ka thënë Kurti.
“Por, për të qenë edhe më keq se kaq, ndodhemi në një situatë në të cilën nuk mund të kemi demokraci sepse kemi qeveri të pakicës. Numri i partive në koalicionin qeverisës është dyfish më i madh sesa numri i deputetëve të partisë së kryeministrit. Ne kemi kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Haradinaj i cili për çdo javë bën, së paku, nga një skandal. Ai duhet ta testojë qeverinë me votëbesim në Kuvend. Kosova nuk mund ta bëjë shtetndërtimin e saj pa demokraci. E, nuk ka demokraci me qeveri të pakicës. Kemi nevojë për zgjedhje të reja e të lira”, ka shtuar ai.
Sipas Kurtit, në Strategjinë e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, të publikuar më 6 shkurt të këtij viti, Serbia u pat privilegjuar duke u futur në të njëjtën kategori me Malin e Zi për anëtarësim në vitin 2025. Mali i Zi i ka hapur 30 nga 35 kapituj, ndërkaq Serbia vetëm 12 sosh. Kurti ka thënë se për BE-në duket që raporti midis Kosovës dhe Serbisë është disi edhe më i rëndësishëm se vetë Kosova. Kjo nuk mund të vlejë edhe për neve.
Edhe
Kurti thotë se do ta mbështetë opozitën për zgjedhje, por jo me dorëheqjen e Qeverisë
“Në këtë kontekst, qëllimet e Beogradit janë të qarta dhe mund të themi se janë dy kryesore: 1) ‘Zajednica’ e Serbisë në Kosovë; 2) Anëtarësim sa më i shpejtë i Serbisë në BE. Në përputhje me këto qëllime, president i Serbisë, Vuçiq, shtron kërkesa. Ndërkaq, Kosova nuk i ka formuluar as qëllimet dhe as parimet e saj dhe rrjedhimisht as kërkesat ndaj Serbisë. Krerët e institucioneve nuk e thonë as që synojmë dhe as që e kërkojmë njohjen e pavarësisë dhe dëmshpërblimin nga Serbia. Presidenti aktual flet për ‘kompromis të dhimbshëm’ dhe duket që e ka fjalën për dhimbjen që do ta ketë Kosova si shtet dhe populli ynë dhe jo vetë ai”, ka thënë Kurti.
“Qartazi, Thaçi nuk është duke shkuar në Bruksel. Vuçiqi po shkon në Bruksel, kurse Thaçi po shkon te Vuçiqi. Sepse, ky dialog i nevojitet Serbisë për ta përshpejtuar anëtarësimin e saj në BE, kurse Thaçit i nevojitet për ta ngadalësuar përndjekjen nga Gjykata Speciale”, ka shtuar kryetari i VV-së.
Kurti ka theksuar se dialogu me Serbinë është prioritet për Serbinë që të avancojë në negociatat për anëtarësim në BE, dhe për Presidentin Thaçi i cili e përdor dialogun me Serbinë si imunitet për vete nga Gjykata Speciale. Sipas Kurtit, kjo gjykatë është e padrejtë dhe pikërisht Thaçi e imponoi atë me votimin e ndryshimeve kushtetuese më 3 gusht 2015 (bëhen tre vjet së shpejti). Dialogu me Serbinë nuk mund të jetë prioritet për Kosovën. Për neve janë prioritet punësimi, sidomos i grave dhe të rinjëve, luftimi i krimit e korrupsionit, arsimi e shëndetësia. Por, jo Serbia.
“Kurrfarë finale e madhe nuk është ky dialog. Serbisë i nevojitet një marrëveshje me Kosovën për ta përmbushur sidomos kapitullin 35 në negociatat për anëtarësim në BE. Prandaj edhe kjo nguti në dialogun ‘Brukseli 2’. Presidenti Thaçi nuk mendoj që don ta përfundojë asnjëherë dialogun me Serbinë për shkak që dëshiron ta fillojë atë pa afate. E këtë e bën, meqenëse, jeta politike dhe posti zyrtar dhe liria personale i varen nga ai dialog. Duhet të rrojë dialogu me Serbinë që të rrojë Thaçi”, ka thënë ai.
“Qëllimi i dialogut duket të ketë qenë dialogu, meqenëse është vrapuar pas marrëveshjeve të reja pavarësisht moszbatimit të atyre të vjetrave. Dialogu për normalizim nuk e ka arritur as normalizimin e dialogut. Ne konsiderojmë që është e domosdoshme të bëhet vlerësimi zyrtar i dialogut me një raport qeveritar për vitet e humbura 2011-2017, të raportohet në Kuvend dhe të kemi debat parlamentar. 33 marrëveshje i kanë nënshkruar Kosova me Serbinë në këtë dialogun gjashtëvjeçar. Nuk mund të ketë dialog që na i merr 6 vjet pa pasur që paku edhe një vlerësim që na i merr 6 javë. Nuk ka demokraci pa llogaridhënie dhe nuk ka llogaridhënie pa vlerësim, pa bilans. Rezultati kryesor i dialogut për normalizim të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, mund të themi se ishte vetëm Lista Serbe”, ka shtuar Kurti.
Kryetari i VV-së beson se Presidenti aktual nuk është më njeri që bën gabime të paqëllimshme, por është një njeri që ka qëllime të gabuara. Thaçi nuk është as kredibil e as kompetent. Kurti ka thënë se Thaçi është edhe gënjeshtar, edhe i paditur.
Edhe
Haradinaj: Kurti të dorëhiqet dhe t’ia kthejë mandatin popullit
“Thaçi është President për vete, jo për Kosovën. Marrëveshjet e Presidentit apo ujditë e fshehta të tij nuk do të vlejnë në Kosovë. Kot e ka. Se kush do të jetë udhëheqës i dialogut është shumë e rëndësishme, por ajo është një çështje që vjen në fund, kurrsesi në fillim. Nuk ka shtetndërtim me emra të përveçëm në fillim”, ka thënë Kurti.
“Duhet ta bëjmë shqyrtimin dhe vlerësimin e dialogut 6 vjeçar që të shohim se ku ndodhemi. T’i përcaktojmë synimet e kërkesat tona dhe vetëm më pas të vazhdojmë me emra të përveçëm, ekipesh e liderësh, të dialogut që duhet të jetë padyshim me parime e me kushte”.