Arbëri

Për shkak të pandemisë, bujqve iu grumbullohen tonelata të produkteve të pashitura

Pritjet që të përfitojë nga angazhimi i tij dhe i familjes, Nazim Ademit nga Pestova e Vushtrrisë për këtë vit ia ka shuar COVID-19.

Sikur shumë bujq në rajonin e Vushtrrisë, edhe Ademi mbjell patate. Por këtë vit i kanë mbetur hiç më pak se 15 tonë të pashitura, siç thotë, të mos i ketë ndodhur ndonjëherë.

Ademi nuk e di se çka t’i bëjë kësaj sasie të patateve, derisa shumica e tyre tashmë kanë filluar të kalben, raporton KOHA.

Megjithëse nuk është i vetmi bujk që përballet me gjendje të njëjtë, Komuna e Vushtrrisë nuk ka mundësi financiare t’u dalë në ndihmë.

"Ne e kemi angazhuar tashmë një kompani që do të bëjë vlerësimin e dëmeve dhe kur të kemi një studim të thellë ta paraqesim para donatorëve dhe tu ndihmojmë”, ka thënë kryetri i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri.

Tahir Tahiri, kryetar i Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës, ka thënë nëpërmjet telefonit se deri tash bujqve askush nuk iu ka ofruar ndihmë, edhe pse dëmet që i ka shkaktuar pandemia në bujqësi në nivel vendi mbërrijnë shifra milionëshe.

Ndërsa në një përgjigje me shkrim të Qeverisë se Kosovës dhe Ministrisë së Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural thuhet se me qëllim për t’u dalë ballë sfidave me të cilat po ballafaqohet sektori bujqësor, janë planifikuar subvencione të dyfishta, për të gjitha kulturat bujqësore në kuadër të Programit të Pagesave Direkte për vitin 2020.