Tash e 18 ditë, 250 punëtorëve të kompanisë publike “Trainkos” u janë vonuar pagat.
Për këtë arsye, ata kanë bllokuar trenin e linjës Prishtinë- Pejë për një orë të tërë, raporton KTV.
Tregojnë se deri tash kanë kërkuar llogari nga kryeshefi, Gelor Shala dhe bordi udhëheqës, mirëpo, janë shpërfillur.
Pas një ore, ata i ka takuar zëvendësi i Gelor Shalës, Naim Neziri, i cili u tha se problemi qëndron në mos-lëshimin e parave, të cilat i subvencionon Ministria e Infrastrukturës çdo vit.
Por një version tjetër e kanë dhënë në ministri. Zëvendësministri, Rexhep Kadriu, ka thënë se arsyeja qëndron te mosdeklarimi i shpenzimeve të bëra nga menaxhmenti i Trainkosit.
Po ashtu, ka hedhur poshtë edhe arritjen e ndonjë marrëveshjeje me të cilën u arsyetua Neziri.
Problemet me këtë kompani publike janë edhe më të mëdha.
Që nga viti 2013, kjo ndërmarrje subvencionohet nga Ministria e Infrastrukturës me nga 1 deri në 2 milionë euro si dhe MZHE-ja me 500 mijë euro.
Me të hyrat të cilat i realizon edhe nga subvencionet, Trainkosi nuk i ka arritur parashikimet e qeverisë.
Në vitin 2016, ndërmarrja ka operuar 1 milion euro humbje.
Auditori ka gjetur shumë shkelje edhe gjatë rekrutimit të punonjësve.
Në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, e cila është bashkëmenaxhuese e ndërmarrjes, kanë thënë se janë në dijeni të performancës negative, por nuk kanë dhënë detaje të tjera.