Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Për çfarë u morën vesh sot në Bruksel Thaçi e Vuçiqi

Presidentët e dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, u pajtuan në Bruksel që të punojnë për fillimin e një periudhe të re të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve dhe vendosën që ekipet e të dyja palëve të fillojnë përgatitjet.

Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq u takuan me shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, raporton KTV.

Në një njoftim të zyrës së saj, thuhet se të dy presidentët kanë nënvizuar rëndësinë e zbatimit pa vonesë të marrëveshjeve të arritura në bisedimet e deritashme.

Nga ana e saj, Mogherini konfirmoi përkushtimin e BE-së për ardhmërinë evropiane të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se periudha e re e bisedimeve do të çonte drejt një normalizimi dhe pajtimi mes të dyja vendeve dhe të dy popujve.

Ndërsa Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, tha se bisedimet e sotme ishin të frytshme dhe në to u shtrua thelbi i përmbajtjes së bisedimeve në të ardhmen.

Takimi i sotëm ndodh në një kohë kur është paralajmëruar se bisedimet do të zhvillohen në nivel presidentësh, gjë që ka nxitur reagime në Kosovë.

Artikuj të ngjashëm