Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

PDK kërkon të respektohet Kushtetuta në bisedime, është për Shengen dhe jo për Mini-Shengen

Foto: Koha / ilustrim

Partia Demokratike e Kosovës përmes një komunikate për media thekson se i konsideron zhgënjyese zhvillimet e fundit në dialogun Kosovë-Serbi. Pritjet e mëdha qytetare dhe të PDK-së për një marrëveshje finale, që garanton njohjen e ndërsjellë, janë kthyer në një proces pa afat dhe me kompromise nga ana e delegacionit shtetëror të Kosovës.

Në takimin e përbashkët të Kryesisë dhe Grupit Parlamentar të PDK-së, është konstatuar e rrezikshme rrëshqitja e delegacionit shtetëror nga bisedimet për marrëveshje finale e të obligueshme ligjore, në biseda për tema me karakter teknik.

PDK kërkon nga delegacioni shtetëror i Kosovës që të respektohet Kushtetuta e vendit. Bisedimet për territore dhe pasurinë kombëtare të Kosovës, janë kundërkushtetuese dhe kundër interesave strategjike të vendit.

PDK e konsideron të padobishëm procesin e Mini-Shengenit, të pranuar nga delegacioni shtetëror i Kosovës. PDK është për Shengen, por jo për Mini-Shengen.

PDK përshëndet paralajmërimin e kryeministrit të Izraelit, Benjamin Natanyahu për njohjen e Kosovës nga ana e shtetit të tij. Roli i presidentit Trump në këtë proces ishte i jashtëzakonshëm. Kjo i kontribuon hapjes së një kapitulli të ri mes dy vendeve tona.

Me qëllim të transparencës më të madhe dhe dhënies së llogarisë para Kuvendit të Kosovës dhe qytetarëve, PDK do të kërkojë seancë të jashtëzakonshme në ditët e ardhshme. Ftojmë të gjitha partitë politike t’i bashkohen kësaj iniciative të domosdoshme, përfundon komunikata e PDK-së.