Partia Demokratike e Kosovës, dega në Podujevë, ka thumbuar Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila në 27 vjetorin e themelimit të saj në Podujevë, por edhe në degë tjera nëpër Kosovë, ka kërkuar zbardhjen e vrasjeve të aktivistëve të saj pas luftës.
PDK thotë se në 27 vjetorin e themelimit të LDK-së në Podujevë nuk u lanë pa u përmendur disa gjëra të cilat jemi mësuar tash e sa vite që ky subjekt politik në Podujevë i ka përdor për marketing politik që nga paslufta.
“Këtë herë dega e LDK-se në ketë përvjetor të themelimit të saj Podujevë, ashtu siç e kanë trashëguar nga e kaluara, se asgjë nuk mund të bëjmë vetëm, pa na thënë të tjerët. Veçuan pamundësinë e themelimit të ushtrisë, apo shndërrimit të FSK-së në forcë për ta mbrojtur sovranitetin e shtetit tonë, se gjoja nuk na lënë të tjerët, edhe pse bashkërenditja për krijimin e ushtrisë është duke u bërë me faktorin ndërkombëtar, NATO-n, SHBA-të dhe BE-në”, thuhet në reagimin e PDK-së.
“Po e vërteta është diku tjetër, se LDK do ta kishte dëshirën që kjo ta jepte iniciativën e që nuk e dha, pikërisht duke pritur nga kotësia se të tjerët ua bëjnë ushtrinë, ashtu siç priti me vite se dikush tjetër do t’ua sjell pavarësinë dhe lirinë e Kosovës, por që kjo nuk ndodhi ashtu siç e konceptuan”, thekson PDK më tej në reagim.
Kërkesa për zbulimin e autorëve të vrasjeve të pasluftës, sipas PDK-së, “e cila gjithnjë është përdorur nga LDK-ja me qëllime të caktuara duke fajësuar subjekte dhe individë të ndryshëm për të cilët as hetuesia nuk e ka dhënë fjalën, por që tash e disa vite prej kur është në bashkëqeverisje i ka harruar fare”.
Edhe
LDK-ja e quan selektive e të pjesshme Rezolutën për Specialen
Dega e PDK-së në Podujevë thotë se e përsërit dhe do ta përsërisë vazhdimisht që autorët e atyre vrasjeve që kanë ndodhur pas luftës të zbardhen dhe autorët, pavarësisht kush janë, të dalin para drejtësisë, “sepse kështu do të ndërpritet manipulimi që gjithmonë ka përdorur ky subjekt politik për të përvetësuar vota nga qytetarët, por që tani qytetarët e kanë qartësuar mirë synimin e këtij grupi interesgjish do t’ua tregojnë vendin aty ku në realitet e kanë pasur para shumë vitesh”.
“Loja me ndjenjat e atyre që u janë vrarë familjarët veç sa për të marr vota është jo e sinqertë dhe cinike, sepse këto vite kanë harruar fare që t’i ngrisin këto çështje”, u theksua në reagimin e PDK-së.