OpEd

Ligji si llastiku

Nuk e besoj se fitorja e Vetëvendosjes ka të bëjë ndonjë gjë me planin e tyre se si të udhëhiqet kjo komunë, sa ka të bëjë me frustrimin qytetar se si të mos udhëhiqet me të. Fundja cilido kandidat, i cili do t’i fitonte këto zgjedhje për 9 muajt e mbetur për të qeverisur këtë komunë, nuk është se do të mund të ofrojë diçka konkrete për qytetarët e Podujevës, por ai do të arrijë që të bëjë fushatë zgjedhore 9-mujore me para të taksapaguesit dhe projekte të improvizuara të çastit për zgjedhjet e reja lokale të vitit të ardhshëm

Zgjohem në mëngjesin e hershëm të një dite me mjegull dimri. Kabllogramet diplomatike nuk kanë pasur të ndalur gjatë ditëve të cilat i lamë pas.

Nga ato vendoret sigurisht se vlen të veçohet fitorja e Vetëvendosjes në Podujevë.

Kush do ta besonte se në një bastion të LDK-së në tri dekadat e fundit një parti do të arrinte që ta thyente atë dhe madje pa balotazh fare, por me një fitore të pastër.

Personalisht pata pritje se ky do të duhej të ishte një moment reflektimi për LDK-në, edhe pse ende nuk e kam të qartë se pse janë këto pritshmëritë e mia në raport me këtë parti kur vit pas viti, skandal pas skandali elektoral ata e kanë dëshmuar tashmë se aty nuk ekziston as edhe një dëshirë apo shkëndijë më e vogël për reforma të brendshme. Anëtarësia vazhdon që të shkojë mbrapa Kryesisë dhe kryetarit të partisë sikur Muça pas dainjve. Arsyeshmëritë e humbjes, të dhëna nga eksponentët e ndryshëm partiakë janë, më së buti thënë, patetike dhe nënçmuese për votuesin e saj.

Nuk e besoj se fitorja e Vetëvendosjes ka të bëjë ndonjë gjë me planin e tyre se si të udhëhiqet kjo komunë, sa ka të bëjë me frustrimin qytetar se si të mos udhëhiqet me të. Fundja cilido kandidat, i cili do t’i fitonte këto zgjedhje për 9 muajt e mbetur për të qeverisur këtë komunë, nuk është se do të mund të ofrojë diçka konkrete për qytetarët e Podujevës, por ai do të arrijë që të bëje fushatë zgjedhore 9-mujore me para të taksapaguesit dhe projekte të improvizuara të çastit për zgjedhjet e reja lokale të vitit të ardhshëm.

Por ajo se çfarë pamë në Podujevë ne qytetarët e thjeshtë, si dhe të gjitha partitë politike është disponimi i popullit për t’i ndëshkuar politikëbërësit e dy dekadave të fundit, është një disponim për t'ia dhënë rastin një force të re politike, edhe pse tashmë jo të panjohur për qytetarin e Kosovës.

Zgjedhjet lokale në Podujevë alarmuan të gjitha partitë dhe i vunë e zgjuan nga gjumi të gjithat nga to. Dje pamë një pajtueshmëri sa i përket votimit të paketës së rimëkëmbjes ekonomike të Qeverisë nga ana e PDK-së, pasi që Qeveria i ka pranuar ndryshimet dhe amendamentimet e këtyre ligjeve sipas vërejtjeve të PDK-së. Sigurisht se ky është vetëm përafrimi i tyre inicial e që në fakt sigurisht se më vete do të mbërthejë edhe votimin e kandidatit për president të propozuar nga ana e PDK-së, si dhe hyrjen e tyre në koalicion qeverisës.

Në anën tjetër, grupit parlamentar të NISMA-s i bashkëngjiten edhe 4 deputetë nga Grupi 6+ dhe tani ky grup i ri së bashku me ata të AKR-së do t’i numërojnë gjithsej 10 deputetë.

Këto janë lëvizjet partiake, të cilat unë i kam observuar gjatë këtyre ditëve të fundit.

Dje Gjykata Kushtetuese e pati seancën dëgjimore të të gjitha palëve të interesit në lidhje me votën e Etem Arifit, të cilën parashtruesit e ankesës, Vetëvendosja, e konsiderojnë për votë ilegjitime dhe si rrjedhojë dhe pasojë e asaj vote edhe vetë votimin e Qeverisë Koti, si një qeveri ilegjitime.

Nuk jam jurist, mirëpo me një logjikë të shëndoshë edhe mua çdo përfundim i kësaj qasjeje më ka dërguar të besoj se ajo e përbën një shkelje ligjore e edhe zgjedhore dhe si e tillë ka qenë votë ilegjitime.

Gjykatës Kushtetuese iu deshën më shumë se 6 muaj për t’u marrë me këtë çështje dhe ndërkohë rrethanat politike në Kosovë kanë ndryshuar aq drastikisht. Mirëpo mund të them se nga seanca e djeshme dëgjimore paksa mbeta me një shije të hidhur me mënyrën se çfarë argumentesh dhe çfarë arsyetimesh jepeshin aty, si dhe qasjen paksa edhe tendencioze nga disa gjykatës të Gjykatës Kushtetuese. Tendenca që me aq lehtësi të thuhej se po qe se hipotetikisht do të thoshim se vota dhe prezenca e deputetit Arifi do të abstraktohej, aty do të ishin 119 deputetë dhe 60 është shumica e votave të deputetëve duke mos e njehur votën e deputetit Arifi. Mendoj se kjo është një shkarje e madhe edhe në logjikë por edhe në normativat ligjore në lidhje me konstituimin e Kuvendit dhe dhënien e mandateve për deputetët. Por, siç kanë thënë, ligji si llastiku, dhe ne shqiptarët e kishim tendencën më të shprehur për ta eksploruar këtë elasticitet deri në maksimum ose mos ta përfillim ligjin fare.

Mund të më pyesni: ambasador, si mendon ti se do të duhej që Gjykata Kushtetuese të vendoste në lidhje me këtë rast?

Ajo tashmë ka shkaktuar mjaft hutim me interpretimet e saja kushtetuese në lidhje me formimin e Qeverisë së fundit dhe pyetjet e dërguara nga ish-presidenti Thaçi tek Gjykata Kushtetuese. Shpresoj se vendimi i saj nuk do të jetë edhe një amulli në ashtu-kështu situatën e komplikuar të shkaktuar postzgjedhore që nga 6 Tetori i 2019.

Mendoj se ky është edhe një rast që Gjykata Kushtetuese ta nxjerrë edhe KQZ-në faqebardhë nga neglizhenca e saj në raport me dhënien dhe verifikimin e mandateve, si dhe shpëtimin e institucionit më të lartë ligjvënës tek ne, siç është Kuvendi, duke e mbrojtur atë nga mashtruesit dhe kriminelët ordinerë, të cilët gjejnë strehë aty në petkun e deputetit.

Mendoj se është koha e fundit që shteti dhe institucionet më të larta shtetërore të merren shumë seriozisht nga të gjitha palët e përfshira dhe që lojërat e kalkulimet politike të lihen anash. Kur lexoj dhe dëgjoj zëra analistësh, këshilltarësh politikë e politikanë aktivë se vota e deputetit Arifi është legjitime, me të vërtetë ndiej keqardhje edhe për ta e edhe për shtetin e brishtë të Kosovës, e sidomos për një qeveri e cila është "legjitime" falë votës së tij.

Unë do të shkoja edhe më tej. Do të thosha se përbërja e këtij Kuvendi është e komprometuar. Ka qenë e komprometuar edhe me rastin e votimit të Qeverisë Kurti, edhe pse vota e këtij deputeti nuk ka qenë determinuese si numër. Por si njeri ende vazhdon që edhe të paguhet me rrogën e deputetit nga paratë e taksapaguesit. Kur ishim fëmijë dhe kur dikush nga ne i shkelte rregullat e lojës, atëherë thërrisnim "u kall loja". Edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese, sipas mendimit tim, do të duhej që të ishte në frymën "u kall loja" dhe që të parandaloheshin pazaret e mëtutjeshme me votën tashmë të abuzuar të qytetarit. Partitë do të duheshin që t’u ktheheshin kutive të votimeve, me premtimet e tyre elektorale, si dhe koalicionet e reja, dhe me këto rrethana, partneritete e premtime të dhëna elektoratit të tyre te kërkojnë dhe legjitimojnë votën dhe fuqinë e tyre politike. Gjithashtu KQZ-së do t’i jepej një mundësi e re për të mos lejuar që njerëzit e inkriminuar me krim të jenë të përfshirë në legjislativin shtetëror.

Përndryshe, ashtu siç po rrjedhin gjërat, ne do të përfundojmë me votimin e një qeverie të tretë e ndoshta edhe jo të fundit në këtë mandat, e dalë nga të njëjtat zgjedhje dhe që personalisht mendoj që është më shumë si pasojë e pështjellimit, së cilës i ka kontribuuar edhe Gjykata Kushtetuese. Nën këso rrethanash dhe lejimit të kalkulimeve të këtilla politike nga grupimet dhe partitë politike e humb esencën e mbajtjes dhe posaçërisht fitimit të zgjedhjeve, sepse gjithmonë partitë e dala të dyta e të treta mund ta bllokojnë fituesin kushdo qoftë ai.

Me vazhdën e vakive të vendit të quajtur Kosovë, partia opozitare e quajtur PDK thërret seancë emergjente të Kuvendit të Kosovës për votimin e Paketës qeveritare të rimëkëmbjes ekonomike. Një kërkesë, e cila do të duhej të bëhej nga vetë partia qeverisëse, vjen nga partia opozitare.

Në kabllogramet diplomatike lexova se për të akuzuarit e Dhomave Speciale ishin ndarë 20 milionë euro për mbrojtjen ligjore të tyre dhe shpenzimet e tjera në lidhje me qëndrimin e tyre në paraburgim, ku bëjnë pjesë edhe shpenzimet e vizitave të familjarëve të tyre. Hashim Thaçi tashmë për mbrojtjen e tij i kishte të angazhuar gjithsej 5 avokatë të ndryshëm. Është interesant se sa herë bëhet fjalë për përfitime politikanësh, qofshin ato rroga të tyre, mëditje, vetura të shtrenjta zyrtare, shërime jashtë vendit, shpenzime marramendëse, mbulime të shpenzimeve për nevojat ligjore, këtu të gjitha partitë gjejnë gjuhë të përbashkët, e kur bëhet fjalë për të mirën e qytetarëve dhe vetë shtetit, atëherë ato bëhen argumente për shantazhim të njëra-tjetrës dhe çështje pazaresh politike për interesa të ngushta partiake dhe individuale.

Prandaj është rast dhe koha e fundit që ne të fillojmë të sillemi sikur shtet dhe shpresoj se Gjykata Kushtetuese do të bëjë hapin e saj të parë në një drejtim të ri të tillë.

E çfarë të keqeje mund të ketë nga dëshirat e mia dashamirëse për vendin?