Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Memli Krasniqi dhe kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza, do ta bojkotojnë edhe sot mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës duke kushtëzuar kthimin në mbledhje të kryesisë me kthimin e fotografisë së presidentit Hashim Thaçi në murin ballor të zyrës së kryeparlamentares Vjosa Osmani.
Përmes një shkrese zyrtare drejtuar Osmanit, PDK-ja ka thënë se bojkoti është veprim simbolik e politik “duke ia kujtuar shkeljet ligjore me rastin e heqjes së fotografisë zyrtare të Presidentit të Republikës së Kosovës”.
“Duke shprehur konsideratën më të lartë për Institucionin e Kuvendit të Republikës së Kosovës që Ju përfaqësoni, me anë të kësaj shkrese, në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (këtu e tutje: PDK-së), në vijim të veprimit tuaj jo institucional dhe të pa ligjshëm për largimin e fotografisë zyrtare të Presidentit të Republikës së Kosovës nga vendi i mëparshëm në zyrën e institucionit të Kryetarit të Kuvendit, si dhe në vijim të bojkotimit të mbledhjes së parë të Kryesisë së Kuvendit, nga përfaqësuesit e PDK-së, si veprim fillestar simbolik e politik, përmes kësaj shkrese, edhe zyrtarisht ju kërkojmë që në afatin sa më të shkurtër kohor, të ndaloni së vepruari në papajtueshmëri me legjislacionin në fuqi, përkitazi më këtë çështje”, thuhet në shkresën e PDK-së drejtuar Vjosmanit dhe sekretarit të Kuvendit.
“Grupi Parlamentar i PDK-së, ju kërkon edhe një herë, të lexoni dhe interpretoni drejt, nenin 20 të Ligjit nr. 03/L-132 për Protokollin e Shtetit të Republikës së Kosovës (Gazeta Zyrtare Nr. 53 me datë 01.06.2009) i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin nr. 03/L235 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-132 për Protokollin e Shtetit të Republikës së Kosovës (Gazeta Zyrtare Nr. 89,me datë 30.11.2010)”, thuhet tutje në shkresë.
“Për më tepër, në zbatim të këtij neni, si dhe bazuar në nenin 7 të Ligjit nr. 03/L235 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-132 për Protokollin e Shtetit të Republikës së Kosovës, Qeveria e Republikës së Kosovës, ka miratuar edhe Rregulloren Nr. 19/2011 për kriteret e përzgjedhjes dhe vendosjes së fotografisë së Presidentit/es të Republikës së Kosovës, fushëveprimi i zbatimit të të cilës shtrihet në të gjitha Institucionet e Republikës së Kosovës dhe udhëheqësit e institucioneve të Republikës së Kosovës të cilët sipas Ligjit nr. 03/L235 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-132 për Protokollin e Shtetit të Republikës së Kosovës janë të renditur në rangun 1, 2 dhe 3, ndërsa e në grupin e parë të të cilës, sipas pikës 1.1.2. rendit ekskluzivisht institucionin dhe pozitën institucionale edhe të Kryetarit të Kuvendit. Sipas nenit 3 të kësaj Rregulloreje, udhëheqësit e institucioneve të Republikës së Kosovës të cilët janë të renditur në rangun 1, 2 dhe 3 janë të obliguar që në zyrat e tyre të vendosin Fotografinë e Presidentit/es të Republikës së Kosovës”, ka vazhduar PDK-ja.
PDK-ja ka kërkuar që Osmani “të kthejë fotografinë e Presidentit në pjesën ballore të zyrës dhe të distancohet nga çasja joinstitucionale dhe të mos krijojë një precedent të tillë, i cili do të ketë pasoja jo vetëm në nivel të zhvillimit të jetës institucionale dhe politike në planin afatshkurtër, por edhe do të ketë pasoja afatgjate në aspektin e zhvillimit dhe kultivimit të kulturës shtetërore, kushtetuese dhe parlamentare në demokracinë tonë të re”.
Edhe
Mblidhet Kryesia e Kuvendit, PDK-ja thotë se e bojkotoi për shkak të Osmanit
Në ditën e parë të punës si kryeparlamentare, Osmani kishte zhvendosur fotografinë e presidentit Hashim Thaçi, duke e vendosur në të njëjtin vend fotografinë e ish-presidentit Ibrahim Rugova. Ajo ka thënë se kjo nuk përbën shkelje ligjore.
{gallery}