Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se puna në hartimin e Projekt-kodit Civil ka filluar në vitin 2014.
Ajo ka shtuar se është i rëndësishëm sepse hartimi i tij bëhet për herë të parë në Republikën e Kosovës.
“Është adresuar çështja e pasurisë së bashkëshortëve në martesë. Në rast të divorcit gjykata do ta ndajë pasurinë në mënyrë të barabartë nëpërmjet bashkëshortëve pavarësisht nëse njëri ka qenë në marrëdhënie pune. Me kodin civil vetëm martesa mbi 18 vjeç do të lejohet”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se Qeveria e ka proceduar këtë Kod Civil në Kuvend.
“Po të kishim mendim ndryshe ne e kishim tërheq. Prandaj dihet qëndrimi i Qeverisë së Kosovës. Sa i përket kontratave martesore i kemi hequr sepse përballemi me një mentalitet patriarkal. Pastaj për ta ruajtur familjen gratë mund të nënshkruajnë kontrata që heqin dorë prej pasurisë dhe nëse shkurorëzohen ato mund të mbesin pa asgjë. Sa i përket çështjes së moshës së martesës, unë këmbëngul në këtë për shkak se shteti e ka obligim që fëmijët t’i drejtojë kah shkollimi dhe arsimi. Sipas UNICEF-it martesa e fëmijëve prek gratë në mënyrë të shpërputhshme”, ka thënë ajo.
Haxhiu ka thënë se neni 1138 po lexohet keq. Ajo ka shtuar se në këtë nen është paraparë mundësia që personat me gjini të njëjtë të regjistrohen si bashkësi civile.
“Unë konsideroj që kjo është në harmoni me Kushtetutën që nuk lejon asnjëlloj diskriminimi as në baza gjinore as në ato të moshës e asnjë tjetër. Ka vende të ndryshme që i kanë të rregulluara në forma të ndryshme martesat e gjinisë së njëjtë”, ka shtuar ajo.
Deputeti Driton Selmanaj ka thënë se Komisioni për Legjislacion Kuvendit i ka propozuar të miratohet në parim Projekt-kodi Civil të Republikës së Kosovës.
Shefja e GP të VV-së, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se draftkodi është dokument ligjor bazik për jetën e qytetarëve të vendit.
“E përgëzoj ministren për finalizimin e këtij draftkodi. Kosova nuk ka pasur kod civil, në 2004 ishte tentuar të hartohej. Më në fund ky dokument po u prezantohet deputetëve të Kuvendit. Ky projektkod garanton barazi para ligjit, pronën, trashëgiminë, të drejtat e fëmijëve. Hartimi i këtij kodi është në harmoni me direktivat e BE-së. Sa i përket martesave kodi civil i ka rregulluar martesat mes gjinive të ndryshme ndërsa nuk i ka rregulluar martesat e gjinisë së njëjtë por vetëm në mënyrë afirmative e njeh bashkësinë civile e cila do të rregullohet me një ligj të veçantë”, ka thënë ajo.
Shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se pas Kushtetutës, ky është dokumenti më i rëndësishëm që ka ardhur në Kuvend.
Ai ka thënë se është dhënë kontribut i jashtëzakonshëm nga zyra e BE-së dhe kanë punuar shumë qeveri në të.
“I falënderoj të gjithë ekspertët që kanë punuar në një dokument të tillë. Rregullon fushën civile dhe shumë çështje që më nuk do të duhej të ishin konteste gjyqësore. Mendoj që është bërë avancim shumë i madh sidomos te çështja e trashëgimisë së gruas. Është e papranueshme mos me qenë kryeministri në këtë seancë. Ne si GP i bëjmë thirrje të vijë sepse pikërisht për këtë ligj konkretisht për nenin për Bashkësitë e regjistruara civile të seksit të njëjtë kemi pasur reagim të bashkësive fetare në Kosovë. Rrjedhimisht si GP pa prezencën e kryeministrit dhe pa deklarimin e tij ne përmbahemi nga votimi”, ka thënë ai.
Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj ka thënë se për Kodi Penal, njeriu mund të lind e të vdes e të mos ketë punë me të. Por, sipas tij, Kodi Civil përcakton të drejtën civile që nga lindja deri në vdekje.
Ai ka thënë se nuk do të thotë që Kosova nuk ka pasur rregullim për këtë çështje. Sipas tij, ka pasur por në mënyrë të shpërndarë.
“Ne inkurajojmë qeverinë të mos ndalet me kaq. Ne si LDK kemi edhe çështje te tjera që duhet të inkorporohen në mes të dy leximeve ne këtë kod. Ne e vlerësojmë përmbajtjen dhe sjelljen e këtij dokumenti. Por kemi interes të kuptojmë edhe qëndrimin e qartë të qeverisë për atë çështje që është diskutuar shumë në shoqëri. Na intereson të dimë cili është qëndrimi i Qeverisë, nëse ai është ashtu siç është rregulluar në ligj, a ka bërë punë qeveria që të kemi një ligj të veçantë për bashkësitë civile? Qasja e ministres duke mos e përmendur fare këtë temë dhe mosprezenca e kryeministrit dhe mënyra se si u ndërpre seanca për të ikur deputetët e pushtetit shpreh një mosguxim politik për t’i trajtuar çështjet e ndjeshme. Tek e fundit për atë punë jemi këtu”, ka thënë ai.
Shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se në formën se si ky Kod Civil nuk e ka mbështetjen e tyre.
“Sot në seancë kemi për trajtim me të vërtetë një projektkod të rëndësishëm. Shiko sa deputetë të pushtetit i kemi në sallë nuk e dimë a janë kundër kodit civil apo se keni ngreh çështje që nuk keni guxim… Mendoj që është mirë qytetarit t’ia themi troç. Jemi deklaruar kundër versionit të kodit civil. Ne mendojmë se në formën si është ky kod civil nuk e ka mbështetjen e AAK-së”, ka thënë ai.
Deputeti Erxhan Galushi ka thënë se promovimi i të jashtëzakonshmes si diçka e zakonshme është fyerje ndaj shumicës së zakonshme.
“Si grup multietnik kurrë nuk mund të votojmë kundër vlerave familjare me të cilat jemi lindur”, ka thënë ai.
Deputeti i GP të LVV-së, Burim Karameta u deklarua kundër Projektkodit Civil.
“Unë jam pro familjes së natyrshme, paramendoni sikur ta kemi të rregulluar me ligj t’i bashkohemi këtij komuniteti paramendoni çfarë do të ndodhë pas 50-60 vjetëve”, ka thënë ai.