Pas raportimit të KTV-së se anëtari i PDK-së në Komunën e Vitisë, Kabil Hajdari, i emëruar së fundmi zyrtar në Komisionin Komunal Zgjedhor (KKZ) të kësaj komune, ka qenë i akuzuar për korrupsion, Partia Demokratike e Kosovës e ka larguar atë nga ky post.
Këtë e ka konfirmuar partia përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
“Partia Demokratike e Kosovës e ka larguar Kabil Hajdarin nga Komisioni Komunal Zgjedhor në Komunën e Vitisë, pas raportimeve se ai ka qenë i akuzuar për korrupsion. Partia Demokratike e Kosovës kërkon nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që t’i verifikojë të gjithë anëtarët e Komisioneve Komunale Zgjedhore, të cilët do t’i zbatojnë aktivitetet zgjedhore në nivelet lokale të pushteteve në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në postimin e PDK-së.
PDK më tej thotë se “si subjekti më i madh politik në vend, Partia Demokratike e Kosovës ka vendosur një standard të ri etik, që asnjë zyrtar i saj me aktakuzë të konfirmuar për korrupsion, nepotizëm apo keqpërdorim të detyrës zyrtare, nuk do të mund të ushtrojë asnjë funksion publik”.
Partia Demokratike e Kosovës tha se mbetet e përkushtuar që ta ruajë këtë standard dhe ka falënderuar të gjithë qytetarët dhe mjetet e informimit për kontributin e tyre në luftën kundër korrupsionit dhe dukurive negative në shoqërinë tonë.