Reagimi i degës së PDK-së në Malishevë, mund të minojë koalicionin mes kësaj partie dhe Nismës Socialdemokrate.
PDK-ja në Malishevë, që është vendlindja e kryetarit të Nismës, Fatmir Limajt, e ka quajtur atë pa moral politikë dhe njerëzor dhe është shprehur kundër një koalicioni.
Politikani pa moral politik dhe njerëzor. Fatmir Limaj ishte ai i cili e ka luftuar në të gjitha format Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, duke akuzuar, shpifur dhe duke sulmuar të gjithë ata që përkrahnin mendimet e tyre. Tani Fatmir Limaj, duke parë që nuk ka asnjë shpresë për të shpëtuar politikisht, po përpëlitet duke u munduar që shpëtimin ta gjejë në emër të Hashim Thaçit e Kadri Veselit, si dhe nën logon e PDK-së. Por PDK-ja nuk do të bëjë këtë gabim vetëvrasës, që të bëjë koalicion me njeriun, i cili është personifikim i korrupsionit dhe shantazhit. Prandaj PDK-ja, dega në Malishevë dhe të gjitha strukturat organizative të saj, janë kundër këtij koalicioni në të gjitha format”, thuhet në postimin e degës së PDK-së në Malishevë.
Limaj ka themeluar Nismës vite më parë pasi ishte ndarë nga PDK-ja. Që nga ndarja, Nisma ishte bashkuar njëherë me PDK-në, në koalicionin PAN, ku ishte edhe AAK-ja.
Ditë më parë, Limaj shprehu gatishmërinë që të bëjë koalicion parazgjedhor me PDK-në.