Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

PDK-ja e cilëson si mundësi të humbur për Kosovën pranimin e Planit evropian nga Kurti

Partia Demokratike e Kosovës e ka cilësuar si mundësi të humbur për Kosovën pranimin e Planit evropian nga kryeministri Albin Kurti, që siç ka thënë ata, është i pamjaftueshëm për arritjen e qëllimeve shtetërore që sipas tyre është njohja e ndërsjellë.

Në një mbledhje të Kryesisë të martën, PDK-ja e ka akuzuar Kurtin se ka hequr dorë nga qëndrimet dhe kushtet e tij para interesave personale dhe ambicieve për të qëndruar në pushtet.

“Partia Demokratike e Kosovës e cilëson si mundësi të humbur për Republikën e Kosovës pranimin e propozimit evropian nga ana e Kryeministrit Kurti, i cili dokument është i pamjaftueshëm për arritjen e qëllimeve shtetërore të vendit tonë. Dje, përmes pranimit të propozimit evropian, fatkeqësisht, ndodhi ajo që PDK kishte paralajmëruar disa herë gjatë javëve dhe muajve të fundit. Kryeministri Kurti hoqi dorë nga qëndrimet dhe kushtet e tij para interesave personale dhe ambicieve për të qëndruar në pushtet. Ndërkaq, si rrjedhojë, Kosova humbi njohjen e ndërsjellë me Serbinë, ndërsa fitoi Asociacionin e Komunave me shumicë serbe”, thuhet në reagimin e PDK-së.

Në Plan, sipas PDK-së, nuk flitet për njohje nga vendet mosnjohëse të BE-së, as për rrugën drejt anëtarësimit në NATO e as për marrjen e statusit kandidat për anëtarësim në BE, por siç thotë partia opozitare më e madhe në vend, flitet për kompetenca të zgjeruara për komunitetin serb.

“Për më shumë, në propozimin zyrtar nuk flitet për njohjen nga pesë vendet mos-njohëse të BE-së, nuk flitet për hapjen e rrugës drejt anëtarësimit në NATO, as për marrjen e statusit kandidat për anëtarësim në BE. Përkundrazi, aty flitet për kompetenca të zgjeruara për komunitetin serb, që rrezikojnë të qojnë drejt autonomisë substanciale dhe, po ashtu, flitet për statusin e veçantë për Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë, që rrezikon të qojë drejt ekstra-territorialitetit”, vijon reagimi i tyre.

PDK-ja tutje ka thënë se për dy vjet me radhë e ka mbështetur Kurtin në raport me Serbinë, por e inkurajojnë që të koordinohet me aleatët ndërkombëtarë.

Edhe PDK e LDK kritikojnë Kurtin për pranimin e draft-statutit të Asociacionit, AAK-ja e mbështet LAJMET E MBRËMJES PDK e LDK kritikojnë Kurtin për pranimin e draft-statutit të Asociacionit, AAK-ja e mbështet

“PDK-jja i ka ofruar edhe propozime konkrete në lidhje me marrëveshjen finale me njohjen e ndërsjellë në qendër. Për fat të keq, Kryeministri Kurti injoroi çdo ndihmë e këshillë që i është dhënë dhe kokë më vete e në kundërshtim me interesat afatgjate të Republikës së Kosovës, përmes veprimeve dhe politikave të gabuara, degradoi pakthyeshëm procesin e dialogut. Rrjedhimisht, ai mundësoi zëvendësimin e marrëveshjes finale me njohjen e ndërsjellë në qendër me një marrëveshje të përkohshme me Asociacionin në qendër. Pikërisht, ashtu siç ka synuar Serbia në këtë proces të dialogut”, shkruhet në komunikatën e PDK-së.

Gjatë takimit të djeshëm në Bruksel mes Kurtit dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq, sipas zyrtarëve evropianë, palët u pajtuan që s’ka nevojë për diskutime të mëtejme për Planin evropian. Megjithatë, s’pati ndonjë marrëveshje. Kurti e Vuçiqi e akuzuan njëri-tjetrin se s’ishin të gatshëm të nënshkruanin.

Takimi i ardhshëm do të jetë më 18 mars në Maqedoni të Veriut.