Arbëri

PDK e quan gënjeshtër e manipulim shkarkimin e drejtorëve në Fushë-Kosovë

Manipulim me opinion po e quan partia opozitare PDK në Fushë-Kosovës shkarkimin e disa drejtorëve dhe emërimin e ushtruesve të detyrës në ato dikastere.

Kryetari i Degës së kësaj partie në Fushë-Kosovë, Rrahim Tërnava, ka thënë se të njëjtit janë emëruar si ushtrues detyre pa u shkarkuar drejtorët që i kanë udhëhequr ato drejtori deri tash.

“Të gjithë ushtruesit e detyrës të drejtorëve të emëruar nga kryetari Burim Berisha janë bërë pa u shkarkuar realisht drejtorët e dikasterëve përkatës. Në vijim i keni emrat e atyre se gjoja janë shkarkuar dhe të ushtruesve të detyrës: 1. Nurie Avdiu, drejtoreshë e Kulturës - Fatlume Berisha si u.d; 2. Afrim Krasniqi, drejtor i Administratës - Arbër Statovci u.d; 3. Islam Shabani, drejtor i Arsimit (gjoja ka dhënë dorëheqje)- u.d. Adnan Bullatovci (gjoja i shkarkuar javën që shkoi nga kryetari Burim Berisha)”, ka treguar Rrahim Tërnava. “Krejt ky është manipulim me opinionin publik, se gjoja kryetari po ndërmerr masa ndaj atyre që nuk kryejnë punën, disa madje edhe të njohur për keqpërdorime. Në fakt të gjithë këta vazhdojnë të jenë në krye të detyrave. Disa muaj më përpara nxënësit e shkollës ‘Mihal Grameno’ në Fushë Kosovë, kishin mbetur pa mësim për gati dhjetë ditë dhe përgjegjësia kishte rënë mbi drejtorin e Arsimit, Islam Shabani. Ne si PDK kemi kërkuar dorëheqjen e këtij drejtori të paaftë”.

KOHA ka kërkuar përgjigje nga zyrtarët komunalë nëse të njëjtit drejtorë që janë përmendur nga Tërnava janë shkarkuar dhe arsyen pse janë shkarkuar. Por, përgjigjja për këtë ka munguar.

Zëdhënësi i Komunës së Fushë-Kosovës, Ali Topalli ka folur vetëm për ushtruesin e detyrës së drejtorit, Adnan Bullatovcin, por as për këtë nuk ka treguar nëse është shkarkuar apo ka dhënë dorëheqje.

“Ju lutem, sa i përket kësaj pyetje, konsultoni Ligjin për kompetencat e kryetarit të komunës dhe aty e gjeni përgjigjen. Ende nuk është emëruar askush (drejtor i Arsimit v.j.) dhe është kompetencë e plotë e kryetarit të komunës që ta bëjë këtë”, ka thënë Ali Topalli. “Nuk i komentojmë deklaratat e subjekteve politike. Ne kemi punuar dhe do të punojmë në vazhdimësi për çdo ditë për të mirën e qytetarëve të Komunës së Fushë-Kosovës”.

KOHA ka kontaktuar ushtruesin e detyrës së drejtorit të deritashëm të Arsimit, Adnan Bullatovci dhe drejtoreshën për Kulturë, Rini dhe Sport, Nurije Avdiu, për të dy e kanë mohuar se janë shkarkuar.

“Nuk jam shkarkuar, po kam dhënë dorëheqje, për çështje personale”, ka thënë shkurt Adnan Bullatovci.

Për këtë ka thënë se e ka dorëzuar një deklaratë me shkrim në Komunë, por ka refuzuar t’ia dërgojë KOHËS.

“Unë nuk jam shkarkuar. Kjo është e vërteta”, ka theksuar Nurije Avdiu.

Ndërkohë, javën që shkoi nëpërmjet një komunikate, PDK në këtë komunë kishte thënë se drejtorët të cilët janë të përfshirë në korrupsion, keqpërdorim dhe të paaftë për t'ju shërbyer qytetarëve, vazhdojnë të jenë në krye të dikastereve përkatëse me të gjitha kompetencat.

“Kjo udhëheqje komunale, nuk e ka pasur kurrë interes qytetarët, por vetëm përfitimet të një grupi njerëzish që sillen rreth kryetarit Burim Berisha. Ata nuk e kanë për gjë që të mashtrojnë opinionin publik, pasi tashmë po u rrezikohet edhe pushteti, sepse qytetarët nuk u besojnë më.

PDK do ta ndjek rastin e manipulimit me drejtorë dhe me ushtrues detyre në bazë të të gjitha të drejtave që na jep ligji”.

Në muajin mars, drejtori për Arsim në Komunën e Fushë-Kosovës kishte dhënë dorëheqje nga kjo pozitë. Ai në një prononcim për KOHË-n ka thënë se këtë vendim e ka marrë për shkak të mosmarrëveshjeve me kryetarin e Komunës, Burim Berisha rreth menaxhimit të këtij sektori.

“Ka një kohë të gjatë që kemi mosmarrvëshje me kryetarin e Komunës, duke nisur nga mospërfillja rreth buxhetit për arsim, anashkalimi gjatë kohës së pandemisë, stërngarkesa e paraleleve në shkollat e qytetit për shkak të migrimeve të banorëve nga e gjithë Kosova dhe jashtë saj, pamundësia e pajisjes së shkollave me pajisje digjitale, mungesa e hapësirave për të ndërtuar kopshte dhe shkolla të reja”, ka thënë Islam Shabani në një përgjigje me shkrim. Sipas tij, si Komunë me një rritje dinamike dhe të hyra të mëdha kanë mundur të arrijnë më shumë me një menaxhim më të mirë, siç ka thënë ai, duke përcjell infrastrukturën e nevojshme krahas ndërtimeve të shumta dhe jo të lejojnë që në paralele të ketë deri në 50 nxënës.

“Kjo situatë nuk garanton një cilësi të mirë në arsim tek nxënësit dhe as një menxhim të mirë nga arsimtarët. Problem kyq në Fushë-Kosovë është edhe çështja e normave - vendeve të arsimtarëve. Ne qe dhjetë vite radhazi kemi probleme me mbulimin e normave shkaku se na mungojnë rregullisht shkaku i planifikimit jo të duhur. Prandaj arsimtarët e pranuar me konkurs nuk mund t’i fusim në lista të pagave!”, kishte theksuar tutje, ish-drejtori për Arsim në Fushë-Kosovë. “Për këtë çështje përgjegjësinë për këtë vit shkollor e mban kryetari. Nuk dua të elaboroj më shumë për shkak të keqkuptimeve të mundshme, sepse këto do të diskutohen më vonë dhe do të analizohen të gjitha”.