Kompania Rajonale për Menaxhimin e Mbeturinave “Pastrimi” ka filluar punën të mërkurën, një ditë pasi punëtorët s’dolën në terren duke mos u pajtuar që edhe operatorët tjerë të ndajnë llojet e operimit.
Në një komunikatë për media, KRM “Pastrimi” ka thënë se ndërprerja e përkohshme është bërë “për shkak të vështirësive objektive”.
“’Pastrimi’ rifillon punën në terren, e përkushtuar për pastërti dhe përgjegjësi publike Kompania Rajonale për Menaxhimin e Mbeturinave ‘Pastrimi’ njofton opinionin publik se ka rifilluar punën në terren për largimin e mbeturinave në të gjitha zonat që mbulon me shërbime. Pas një ndërprerjeje të përkohshme, për shkak të vështirësive objektive, puna ka rinisur të martën në mbrëmje me ndërrimin e tretë, duke u përqendruar fillimisht në zonat më të ndjeshme dhe më të ngarkuara me mbeturina”, thuhet në komunikatë.
KRM “Pastrimi” ka thënë se ekipet janë të angazhuara për ta kthyer pastërtinë dhe higjienën në hapësirat publike sa më shpejt që të jetë e mundur.
Ditë më parë Komuna e Prishtinës me ndërmjetësim bëri kthimin e borxhit të arkëtuar te kompania rajonale për mbledhjen e mbeturinave, pas vendimit të Gjykatës Supreme. Ky vendim ndali edhe grevën e punëtorëve para komunës.