Arbëri

Pas vizitës së Komisionit për Shëndetësi, premtohet stabilizim i situatës me barna

Klinika e Onkologjisë

Në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit, anëtarët e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi kanë vizituar të enjten Klinikën e Onkologjisë.

Pas takimit dhe diskutimit me stafin e Klinikës dhe me ud. drejtoreshën e ShSKUK-së, ata ofruan mbështetje e tyre për punëtorët shëndetësorë dhe pacientët e Onkologjisë.

Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Fatmire Kollçaku, pohoi se kjo klinikë ka nevojë për specialistë dhe staf infermieror shtesë.

“Ne i morëm ato prej kërkesave që janë më emergjente sepse siç e dini në fund të vitit ne do ta votojmë edhe buxhetin Kuvendi i Kosovës, dhe ishim të interesuam se çka mund të bëjmë ne si deputet se pa financim të qëndrueshëm as shëndetësi të qëndrueshme nuk ka, ajo çfarë kuptuam nevoja për specialistë shtesë dhe në rend të parë për staf të mesëm për infermierë sepse kemi aparatura por ende nuk kemi staf të mjaftueshëm në këtë klinik”, ka thënë Fatmire Kollçaku, kryetare e Komisionit për Shëndetësi.

E deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka kritikuar nivelin e furnizimit me barna nga lista esenciale për Klinikën e Onkologjisë.

“Çdo herë është shqetësues mungesa e barnave në veçanti kur kemi të bëjmë me pacientë oknologjik, dhe këtu nuk ka dilema se sa duhet me qenë furnizimi me listë esencial në vitet e fundit ka qenë deri në 90%, këtë vit kjo ka ra në 70|% ndoshta edhe situata të cilat kanë qenë me ndryshimet me stafin në QKUK dhe ministrinë e Shëndetësisë kanë ndikuar që të ketë dhe aspak nuk janë fajtor mjekët”, u shpreh Haxhiu.

Ushtruesja e detyrës së udhëheqësit së ShSKUK-së, Pranvera Zejnullahu-Raçi, ka pranuar se ka mungesë të disa barnave në Klinikën e Onkologjisë, por që theksoi se aktualisht gjendja po stabilizohet.

E ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës së Onkologjisë, Arben Bislimi, ka falënderuar deputetët për përkrahje.

“Ka pas periudha në barna të caktuar barnat që janë të personalizuara apo target është evidente dhe këtë nuk e kemi fshehur por tani kemi me sigurimin e buxhetit kemi filluar me liferim dhe shpresoj dhe na ka premtuar qeveria të na bëjë një buxhet shtesë që deri 3 mujori i katërt të mbulohet plotësisht edhe për pacientë onkologjikë. Keni parasysh se ka vonesa të caktuara sepse me atë buxhet duhet të furnizojmë edhe me pacientë kirurgjik edhe pacientë të tjerë. Tash dje dhe sot... është bërë leferimi i një pjese të mirë të barnave”, deklaroi Zejnullahu-Raçi.

“Për neve nuk dallon shumë muaji tetor nga muajt e tjerë por është muaj i fokusuar në ndërgjegjësim për kancer të gjirit dhe sa i përket barnave kemi pasur ngecje diçka por tash jemi futur në binar sidomos për menaxhimin e kancerit të gjirit dhe një sasi që e kishim në mungesë të target terapisë e morëm para dy dite do të furnizohemi prapë sipas njoftimeve që kemi dhe mendoj se brenda muajit do të stabilizohemi në këtë drejtim”, shtoi Arben Bislimi, ushtrues i detyrës së drejtorit të Klinikës së Onkologjisë.

Dy javë më parë Qeveria e Kosovës ka vendosur për rialokimin e 3 milionë eurove e për blerjen e barnave deri në fund të vitit.