Cenimi i sistemit të informacionit në Shqipëri pas një sulmi kibernetik, ka ngritur alarm edhe në Kosovë.
Edhe pse gjatë këtij viti është regjistruar vetëm një sulm kibernetik, ndaj një institucioni publik, njohës të kësaj fushe kërkojnë masa më të rrepta sigurie për të parandaluar sulmet e tilla.
“Pres jo vetëm në Kosovë, por edhe në shumë vende të tjera të botës, të ketë një interesim më të shtuar të institucioneve për t’u mbrojtur prej sulmeve kibernetike sepse këto janë të dhëna tona. Nëse një herë na ekspozohen ato të dhëna neve, aq na mjafton, sepse ne e kemi një ID me të cilën identifikohemi, deri sa të kemi ymër kështu që nëse ato të dhëna neve na rrëshqasin, ai është identiteti ynë digjital, me të cilin prezantohemi në botën digjitale”, tha Tanzer Abazi, njohës i çështjeve kibernetike.
Sipas tij, Kosova ende nuk ka një strategji e as ligj për siguri kibernetike.
“Nuk duhet t’i edukojmë vetëm njerëzit, por duhet të investohet në teknologji për t’u mbrojtur. E treta është që na duhet të kemi ligj, ne nuk kemi një ligj të sigurisë kibernetike qe 10 vjet është i vjetër. Nuk kemi një strategji të sigurisë kibernetike si shtet e cila është qe 3 vjet duke u marrë me hartimin e kësaj strategjie”, tha Abazi.
Edhe
Gashi: Inteligjenca artificiale është resurs, por edhe kërcënim për abuzuesit e dhunës digjitale
Abazi u ka bërë thirrje gjitha institucioneve të bashkëpunojnë me shoqërinë civile e me organizatën ndërkombëtare, që të ndërmarrin masat e nevojshme mbrojtëse.
Sipas tij, digjitalizimi pritet të sjellë edhe sfida të sigurisë kibernetike ndaj të cilave duhet treguar një kujdes të shtuar.
Nga Zyra për Informim në Policinë e Kosovës thonë se në janar të vitit 2022 ka ndodhur një rast i sulmit kibernetik i llojit RANSOMARE, ku cak i sulmit ka qenë një institucion publik.
“Në vitet e kaluara ka pasur disa raste që janë denoncuar nga zyrtarët që menaxhojnë ueb-faqet dhe platformat online të institucioneve të ndryshme publike, llojet e rasteve apo sulmeve kanë qenë të tipit DDoS. Kurse sa i përket luftimit të krimit kibernetik, në kuadër të Policisë së Kosovës ekziston mekanizmi i cili merret me hetimin e veprave penale që bien në fushën e krimeve kibernetike, siç janë edhe sulmet kibernetike”, thuhet nga Zyra për Informim e Policisë së Kosovës.
Edhe
Ekspertët paralajmërojnë vijim sulmesh kibernetike nga Serbia e Rusia
Policia ka bërë të ditur se në rastet kur ka të bëjë me vepra penale, të gjitha veprimet merren në koordinim me Prokurorinë e shtetit dhe autoritetet e tjera relevante.
KOHA ka më shumë se një javë që ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Brendshme dhe Administratës Publikë nëse ka ndonjë plan se si të mbrohen institucionet nga këto sulme, por nuk ka marrë përgjigje.