Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se punëtori i saj Milazim Binaku, 58-vjeçar, ka vdekur të enjten (sot) pasi nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve nga lëndimi që ka pësuar në vendin e punës para tetë ditësh.
“I ndjeri Milazim (Baki) Binaku ishte i lindur më 29.10.1967 në Lum i Madh, Komuna e Vushtrrisë. Ai ishte punonjës i KEK-ut, i sistemuar në vendin e punës “Axhustator” në Fabrikën e Pajimeve Xehtare “Kosovamont”, në kuadër të Divizionit të Prodhimit të Qymyrit (DPQ)”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.
KEK-u ka thënë se i ndjeri pësoi lëndime më 8 korrik në Fabrikën e Pajimeve Xehtare në Palaj.
“Pas trajtimit mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, fatkeqësisht nuk arriti t’u përballojë lëndimeve të marra”, vijon njoftimi.
Binaku ishte i punësuar në KEK për më shumë se 36 vjet.
“Ai do të kujtohet me respekt për përkushtimin, përgjegjësinë, korrektësinë dhe sjelljen e tij shembullore në punë, si dhe për raportet e mira kolegiale që ndërtoi ndër vite. Varrimi i të ndjerit bëhet sot, më datë 16.07.2026, me kohën e ikindisë, në varrezat e fshatit Lum i Madh, Komuna e Vushtrrisë”, përfundon njoftimi i KEK-ut.
-
Vdiq një punëtor i KEK-ut pas një incidenti në Termocentralin Kosova B
-
Vdiq punëtori që ishte lënduar në vendin e punës në Shtime
-
Vdiq një person në Kamenicë, ra pa ndjenja derisa po punonte
-
Arrestohet një i dyshuar pas vdekjes së punëtorit në vendin e punës në Gjakovë
-
Punëtori humb jetën pasi bie nga ndërtesa në Gjakovë