Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Pas largimit nga Qeveria, Lista Serbe thotë se do të nisë me formimin e Asociacionit

Lista Serbe është tërhequr nga Qeveria e Kosovës dhe koalicioni me PDK-në, AAK-në dhe Nismën.

Vendimi është kumtuar nga Beogradi, në një konferencë për media të Goran Rakiqit, kryetar i Listës Serbe.

“Jemi dëshmitarë që pas ngjarjeve të djeshme në Mitrovicë dhe dhunës ndaj përfaqësuesve të Republikës së Serbisë, ne si përfaqësues legalë të serbëve në Kosovë nuk mund të jemi memecë ndaj kësaj. Dua të them se Lista Serbe do të dalë nga qeveria dhe ata nuk do ta kenë më përkrahjen tonë. E dimë se ata do të bashkohen rreth interesave të veta, sidomos kundër serbëve, dhe ata bashkohen lehtë por edhe ne do të bashkohemi”, ka thënë Rakiq. Rakiqi ka shtuar se të mërkurën ata do të mblidhen në komunat me shumicë serbe dhe do të propozojnë krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të cilin ka thënë se e informojnë Vuçiqin.

Këtë, Rakiq ka thënë se do ta bëjnë në 5-vjetorin e marrëveshjes së Brukselit, më 20 prill.

Por, kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se nuk ka zgjedhje të reja e as dorëheqje të tij, pas largimit të partnerit të koalicionit, Listës Serbe.