Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të shtunën, në mbledhjen e dytë brenda kësaj jave, ka miratuar rekomandimin e Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim për kufizimin e shumës, e cila mund të shpenzohet për fushatën e zgjedhjeve komunale. Fiks 950 mijë e 633 euro e 40 centë është shuma që mund të shpenzojnë në total. Për secilën nga komunat që garon është e përcaktuar shifra e parave të cilat mund të shpenzohen nga kjo shumë totale prej gati një milion eurosh. Formula, e cila e rregullon një gjë të tillë, lidhet me numrin e votuesve në këto komuna
Fiks 950 mijë e 633 euro e 40 centë, është shuma të cilën një subjekt politik ka të drejtë ta shpenzojë për fushatën zgjedhore të zgjedhjeve lokale, të cilat këtë vit do të mbahen më 17 tetor. Kjo shumë, e cila ka marrë miratimin e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të shtunën, është totali i shpenzimeve të cilat një subjekt politik mundet t’i bëjë për 38 komunat e Kosovës.
E për secilën nga komunat që garon është e përcaktuar shifra e parave të cilat mund të shpenzohen nga kjo shumë totale prej gati një milion eurosh. Formula, e cila e rregullon një gjë të tillë, lidhet me numrin e votuesve në këto komuna. Për komunat të cilat kanë më shumë se 5 mijë votues të regjistruar, secili subjekt politik ka të drejtë të shpenzojë deri në 0.5 euro për secilin prej tyre, derisa në ato që kanë më pak se 5 mijë deri në 0.70 euro.
Nga 38 komunat e Kosovës, nga lista e papërfunduar e votuesve, më pak se 5 mijë banorë kanë Ranillugu me 4.878 votues, Parteshi me 4.561 votues e Kllokoti me 3.692.
Sipas rregullores zgjedhore, e cila kufizon shpenzimet e fushatës dhe deklarimin financiar, dispozita e parë e saj përcakton se “asnjë subjekt politik i certifikuar nuk mund të bëjë tejkalime në shpenzime të fushatës mbi shumën që do të caktohet nga rregulla e KQZ-së, jo më vonë se 5 ditë pas ditës së shpalljes së zgjedhjeve”.
Yll Buleshkaj, drejtor i Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim(ZRPPC), në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të shtunën, ka prezantuar kërkesën për miratim.
Edhe
KQZ-ja cakton kufirin e shpenzimeve për fushatën zgjedhore
“Për shkak se do të kemi subjekte politike të cilat do të garojnë vetëm në një komunë apo më shumë, por jo të gjitha, atëherë e keni të bashkangjitur dhe tabelën e cila e cek shumën e lejuar të shpenzimeve për secilën komunë. Në qoftë se një subjekt politik, ta zëmë garon vetëm në Junik, do të ketë 2 mijë e 733 euro e 50 centë të lejuara e jo 950 mijë e 633 euro”, ka thënë Buleshkaj, i cili ka shtuar se numri i votuesve mund të ndryshojë më vonë.
Anëtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ibrahim Selmanaj, ka kërkuar sqarime nga drejtori i Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim, se çfarë ndodh nëse një subjekt tejkalon shumën e përcaktuar.
Duke shpjeguar masat që ndërmarrin, Yll Buleshkaj pranoi se deri më tani nuk kanë gjobitur ndonjë subjekt politik lidhur me shpenzimet e bëra, për shkak se siç ka thënë ai, në raportet e prezantuara nuk kanë pasur ndonjë rast të tillë.
“Deri më sot nuk është raportuar që ka tejkaluar dikush shumën edhe pse raportet e organizatave joqeveritare kanë cek që disa subjekte politike e kanë tejkaluar. Por, në raportet të cilat i kemi pranuar, e të cilat i konsiderojmë zyrtare edhe ato që janë audituar deri më 2017 nuk është vërtetuar që ndonjë subjekt politik e ka tejkaluar shumën e lejuar. Kështu që deri më sot nuk është që e kemi penalizuar dikë për tejkalim, sepse nuk kemi pasur argumente për një gjë të tillë”, ka thënë Buleshkaj.
Edhe
Mbi 16 milionë euro për zgjedhjet lokale, KQZ-ja i kërkon qeverisë buxhet shtesë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar, po ashtu, rekomandimin e Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim për të gjobitur Nismën Socialdemokrate me 350 euro për mosdorëzimin e dokumentacionit pas mbajtjes së Kuvendit Zgjedhor. Pagesa e kësaj gjobe duhet të bëhet para certifikimit të partisë, për shkak se në të kundërtën nëse një gjë e tillë nuk ndodh atëherë rrezikon pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale.
Sipas planit operacional të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, fushata zgjedhore për zgjedhjet komunale, e cila do të zgjasë 30 ditë, do të fillojë më 16 shtator, e do të përfundojë më 15 tetor. Kurse, afati për aplikim të subjekteve politike për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje fillon më 17 qershor dhe përfundon më 16 gusht.