Arbëri

Partitë bëhen gati për zgjedhje - vlerësohet mision i pamundur me pandeminë

Për zgjedhje të jashtëzakonshme janë duke u përgatitur partitë, të cilat nuk kanë synuar të jenë pjesë e Qeverisë me mandatar të ri, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Madje, kryetari i PDK-së, ka disa javë që ka nisur vizitat nëpër komunat e ndryshme, derisa ai i Vetëvendosjes ka përmendur edhe datën 14 qershor si më të favorshme për të votuar, raporton KOHA.

Qasjen e tillë lidhur me zgjedhjet, në kohën kur vendi sapo ka filluar masat lehtësuese ndaj pandemisë, janë duke e parë shqetësuese njohësit e këtyre zhvillimeve.

Allen Meta, nga organizata Demokraci për Zhvillim, thotë se mbajtja e zgjedhjeve do të duhej të bëhej pas tejkalimit të tërësishëm të pandemisë COVID-19.

Por, sipas profesorit Bekim Baliqi, mbajtja e tyre është e vetmja zgjidhje për daljen nga situata e krijuar, përkundër kostos së tyre dhe rrezikut gjatë pandemisë.

Lidhur me mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve dhe mënyrën e organizimit, KOHA ka pyetur edhe në Komisionin Qendror Zgjedhor, por nuk ka marrë përgjigje.

Që nga e hëna, televizioni ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga Vetëvendosje e PDK-ja, por ata nuk kanë dashur të flasin.

Derisa Vetëvendosje dhe PDK-ja janë deklaruar pro mbajtjes së zgjedhjeve, partitë e tjera, si LDK-AAK-NISMA e ato nga minoritetet, janë në pritje të vendimit të Kushtetueses lidhur me çështjen e mandatarit të ri.