Përveç çmimeve të shtrenjta, siç thonë qytetarët, për shfrytëzimin e parkingjeve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), në të nuk ka hapësira të mjaftueshme dhe siguri për automjete.
Me digjitalizimin e hyrjeve dhe daljeve, në QKUK janë shtuar të hyrat dukshëm, raporton Kosovapress.
Kjo Qendër tashmë arrin të inkasojë nga pronarët e automjeteve 1 deri 2 mijë euro brenda ditës, ndërsa për një muaj të hyrat janë mbi 20 mijë euro.
Zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazliu për KosovaPress ka mohuar të jenë çmimet e shtrenjta, derisa se ka pranuar se nuk ka hapësira të mjaftueshme për këto shërbime. Ndërsa, qytetarët janë ankuar për këto çmime.
“Çmimi nuk është i shtrenjtë, është sikurse në çdo parking tjetër dhe llogaritet në bazë të orëve që qëndron, duke filluar startin nga 50 cent e tutje. Sistemi është i digjitalizuar dhe nuk jep mundësinë e manipulimit. Mesatarja e të hyrave ditore sillet diku rreth 1 mijë euro, mund ta kalojë edhe 1000-shin, por mesatarja e të hyrave e llogaritur është rreth 1 mijë euro brenda ditës. Nëse e marrim mesataren mujore, do të sillet diku rreth 20 mijë euro prej parkingjeve brenda Klinës së Qendrës Universitare të Kosovës, që është një shumë, shumë më e madhe krahasuar me vitet e kaluara kur nuk ka qenë i digjitalizuar sistemi hyrje – daljeve”, theksoi Fazliu.
Edhe
QKUK-ja fiton çdo ditë nga 2 mijë euro nga pagesat e parkingut, ankohen qytetarët
Ai shtoi se Qendra Klinike Universitare e Kosovës, si qendra e vetme e nivelit që ofron shërbime shëndetësore, është e mbingarkuar me numër të madh të veturave, ku janë mbi tre mijë punëtorë brenda QKUK, e po ashtu me mbi 2 mijë shtretër me pacientë të shtrirë, por edhe familjarë të shumtë të cilët vizitojnë të afërmit e tyre apo për pacientë për kontrolle ambulantore gjatë ditës.
Hapësirat brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës janë të mbingarkuara dhe shpesh herë kapacitetet aktuale të parkingjeve që janë brenda QKUK-së nuk arrijnë që t’i mbulojnë të gjitha nevojat që kanë, qoftë punëtorët e QKUK-së apo edhe qytetarët për t’u parkuar.
Fazliu ka thënë se drejtoria e Shërbimit Spitalor të Kosovës ka menduar edhe për zgjerimin e kapaciteteve të parkingjeve.
“Pritet që edhe më tutje të ketë zgjerim të parkingjeve, por këto parkingje të jenë sa më larg hapësirave spitalore, ngase ne bëjmë apel te të gjithë qytetarët që kanë mundësi dhe u lejojnë, sidomos te vizitorët, që të mos ta mbingarkojnë Qendrën Klinike Universitare të Kosovës me makina, por t’i parkojnë makinat jashtë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Numri i automjeteve që hyjnë brena ditës në hapësirat e Klinikës Universitare të Kosovës, është mjaft i madh, sepse janë diku rreth 3 mijë punëtorë. Ka parkingje të ndryshme brenda QKUK-së, duke filluar nga 200-300-500 dhe mund të them që diku mbi 2 mijë makina brenda ditës parkohen vetëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Ky kapacitet është shumë më i madh prapa klinikave, në periferi, por numri më i madh i atyre që vijnë me makina tentojnë t’i parkojnë makinat afër klinikave që të kenë qasje sa më të lehtë. Dhe si pasojë e kësaj i mbingarkojnë shpeshherë hapësirat e QKUK dhe ne po riapelojmë si QKUK që ata që mund t’i parkojnë makinat jashtë qendrës, ta bëjnë një gjë të tillë”, tha ai.
Edhe
Parkingu i QKUK-së, barrë shtesë për pacientët dhe familjarët
Ndërsa, prapa kamerave disa vozitës janë ankuar për mungesë të vendparkimit dhe çmim të shtrenjtë për këtë shërbim. Po ashtu, disa prej tyre po mendojnë se nuk ka shumë siguri dhe përgjegjësi për veturat e tyre. Gjithashtu, edhe në vet tiketën e hyrjes shkruan se nuk japin llogari për ndonjë gërvishtje apo vjedhje të veturës.
Shërbimet e reja digjitale të vendosura një vit më parë, në tri hyrje-dalje të QKUK-së, janë pronë 100 për qind e QKUK-së dhe menaxhohen nga ky institucion shëndetësor, ndërsa të hyrat dedikohen për shërbime spitalore.