Prej ditës kur është privatizuar fabrika e armaturës FAN në Podujevë kanë kaluar me shumë se 17 vjet.
Rasti i privatizimit të kësaj fabrike për të cilën ishin akuzuar tetë persona për korrupsion, në mesin e tyre edhe ish-deputeti i LDK-së, Naser Osmani, lënda është e parashkruar.
Osmanit dhe të tjerëve u janë refuzuar veprat penale për të cilat akuzoheshin për shkak që ka arritur afati 10-vjeçar prej kryerjes së veprave penale. Në këtë rast të akuzuarit më nuk do të kenë mundësi të gjykohen.
Se ky rast e ka arritur parashkrimin absolut, e dëshmon aktgjykimi i Gjykatës Themelore i marrë më 4 shkurt të këtij viti.
Gjyqtari Agim Kuçi në aktgjykim nuk është marrë fare me akuzat që rendonin mbi ish-përfaqësuesit e Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe biznesmenin Agim Deshishku, që ka privatizuar këtë fabrikë, por vetëm ka konstatuar se tashmë ka ikur mundësia që gjykata të vendosë në mënyrë meritore për këtë rast.
“Gjykata pas vlerësimit dhe analizimit të shkresave të lëndës në këtë çështje penale ndaj të akuzuarve të lartcekur konstaton se ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale, ngase sipas dispozitave të nenit 106 të KPRK-së vepra penale e cila është e dënueshme me më shumë se 3 vjet burgim parashkruhet kur të kenë kaluar 5 vite nga data e kryerjes se veprës penale (parashkrimi relativ), kurse sipas dispozitave të nenit 107 të KPRK-së, ndjekja penale ndalohet në çdo rast kur të ketë kaluar dyfishi i kohës së afatit të parashkrimit, ndërsa në rastin konkret kanë kaluar më shumë se 10 vite nga koha e kryerjes se veprës penale, e cila ju vihet në barrë të akuzuarve, ashtu që: parashkrimi absolut për këto vepra është arritur me datë 19.01.2022”, thuhet në aktgjykim.
Nga ngritja e kësaj aktakuze deri në parashkrim kanë kaluar 17 vjet.
Pjesë e aktakuzës së ngritur nga PSRK ishin : Naser Osmani, si nënkryetar i Bordit të Drejtorëve të AKP-së, Bahri Shabani si drejtor i Bordit të AKP-së, Shkëlzen Lluka si menaxher i AKP-së, Naim Avdiu si zv/drejtor menaxhues i AKP-së dhe Melita Ymeraga, Ardian Kelmendi, si kryesues të Njësisë së Monitorimit në AKP .
Ata akuzoheshin se kanë shkelur të drejtat e punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje, me çka njëkohësisht i kanë shkaktuar dëm ndërmarrjes shoqërore FAN.
Ky rast ka qenë rasti i shënjestruar nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave.