Komuna e Ferizajt nga shtatori do ta ulë shkallën e tatimit në pronë për 10 për qind.
Vendimin e ka bërë të ditur të premten drejtoresha për financa, Sebahate Ajeti-Sadiku, në një takim me përfaqësues të bizneseve, shkruan sot Koha Ditore.
“Kjo përbën një zotim të kryetarit të Ferizajt, Agim Aliu, dhe se përfitues më të mëdhenj nga kjo ulje do të jenë bizneset”, ka thënë Ajeti-Sadiku.
Ajo më tej ka paralajmëruar lansimin e një fushate, e cila në fokus do ta ketë sensibilizimin e opinionit për procedurat e pagesës dhe përfitimet.
Shefja e financave ka ftuar qytetarët se që nga tetori i këtij viti arkëtimi i borxheve të tatimit do të bëhet përmes përmbaruesve privatë.
Por ka potencuar se ka mundësi që këto borxhe të shlyhen edhe përmes programimit të borxhit.
Sipas saj, vlera e arkëtimit të të hyrave nga tatimi në pronë gjatë kësaj periudhe ka arritur në 1 milion euro.
Përfaqësuesit e bizneseve kanë kërkuar që ndaj kontribuuesve të rregullt të krijohen edhe lehtësira tjera. Kanë përmendur Ligjin për faljen e borxheve, i cili i ka vendosur në pozita të pabarabarta me ata që nuk i kanë kryer obligimet. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)