Jeton Zulfaj, këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, ka paralajmëruar ndërmarrje të veprimeve nga ana e Qeverisë dhe institucioneve shëndetësore, pas hulumtimit të KOHËS për abuzimet me programin për trajtim jashtë vendit të të sëmurëve rëndë.
Deri tash Qeveria dhe institucionet tjera kanë heshtur pavarësisht publikimeve që shpërfaqin dyshimet për keqpërdorimin e miliona eurove të shtetit.
Në “Interaktiv” të KTV-së, Zulfaj ka thënë se publikimet po analizohen dhe “çdo abuzim e keqpërdorim është i papranueshëm dhe nuk zë vend fare në Qeverinë Kurti”.
“Ne jemi demokraci që po lulëzon. Media është kritike e jetike në funksionalizimin e demokracisë dhe mbajtjes përgjegjës të Qeverisë, sidomos në llogaridhënie karshi qytetarëve dhe jam i bindur që kjo çështje do të marrë përgjigjen e duhur nga Qeveria... Jam i bindur se të gjitha hulumtimet e KOHËS janë duke u shikuar dhe duke u analizuar për të parë kontekstin dhe të parë se kush duhet të thirret në llogaridhënie dhe jam i bindur se institucionet përkatëse të shëndetësisë dhe Qeveria do të dalin me përgjigjen e duhur shumë shpejt”, ka thënë ai.
Zulfaj ka thënë se Qeveria i ka parë me shqetësim raportimet, ndërsa ka shtuar se “përgjigja e cila duhet të vijë nga Qeveria duhet të jetë e mirëinformuar, duke gjetur akterët përkatës në mënyrë që edhe përgjegjësia e tyre të jetë në përputhje me dëmet që i kanë bërë”.