Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Paralajmërohet padi ndaj MASHTI-t e MSH-së

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, deklaroi se më 23 gusht, komunat do ta padisin Ministrinë e Arsimit dhe atë të Shëndetësisë, pasi janë dëmtuar me mbi 35 milionë euro. Sipas tij, kjo për shkak se niveli qendror kishte nënshkruar kontratën kolektive, derisa barra financiare iu kishte vendosur komunave.

Komunave, sipas tij, iu ka dal problem mjaft i madh me zbatimin e kontratës kolektive pasi Qeveria ka detyruar që ajo të zbatohet me para të komunave.

“Komunat janë mobilizuar dhe të gjitha së bashku të martën do ta deponojmë padinë. Në bazë të analizave të Asociacionit të Komunave të Kosovës, vlerësohet se dëmi i cili u është shkaktuar komunave me zbatimin e kontratave kolektive duke iu marrë mjetet financiare komunave. Ne kemi kërkuar dhe do të kërkojmë përsëri që këto mjete t’iu barten komunave në mënyrë që projektet kapitale, të cilat janë të parapara, të zbatohen me këto mjete financiare dhe të gjejnë zbatim”, deklaroi ai.

Sipas tij, shumë projekte të cilat kanë qenë të parapara të investohen në komunat e Kosovës janë ndaluar nga niveli qendror për shkak të mosfunksionalizimit të bordit të OSHP-së.

“Është parë që rreth 11% e të gjitha mjeteve financiare në Republikën e Kosovës të parapara apo të destinuara për investime kapitale janë shpenzuar. Kjo është për keqardhje sepse është hera parë që është duke ndodhur një gjë e tillë, se një përqindje jashtëzakonisht e vogël e investuar në Republikën e Kosovës, dhe me këtë edhe zhvillimi ekonomik lokal nuk është duke ndodhur për shkak se nuk ka investime”, tha drejtori ekzekutiv i AKK-së, duke theksuar se rreth 100 milionë euro të parapara nuk janë investuar.

Për Asociacionin e Komunave Serbe, Ibrahimi tha se Qeveria mund ta krijojë një ekip, i paraparë me marrëveshjen e 2013-s, që të nisë hartimin e statutit të këtij mekanizmi, “i cili më pastaj do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese”.

Edhe AKK: Komunat pritet të dëmtohen mbi 150 milionë euro këtë vit Arbëri 1 j. më parë AKK: Komunat pritet të dëmtohen mbi 150 milionë euro këtë vit

Më tej, Ibrahimi ka thënë se drejtorët komunalë që janë të organizuar në kolegjiumin e arsimit në Asociacionin e Komunave të Kosovës, kanë ngritur shqetësim për furnizimin me librat shkollorë.

“Me dijeninë tonë vetëm në një komunë janë dërguar librat shkollorë dhe po presim që furnizimi me librat shkollorë të ndodhë edhe në komunat tjera sepse është koha jashtëzakonisht e shkurt. Shpresojmë që MASHT-i ta marrë këtë shumë më seriozisht dhe jo të veprojë si vitin e kaluar”, thotë Ibrahimi./KSP/