Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Paralajmërohet kontroll më rigoroz i tregut të naftës në Kosovë

Kontroll më rigoroz të tregut të naftës në Kosovë, ka paralajmëruar ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, duke komentuar ngritjen e madhe të çmimit të naftës në Kosovë dhe ankesat e Shoqatës së Naftëtarëve kundër një vendimi të Qeverisë që përcakton marzhë fitimi deri në 6 për qind për naftëtarët.

Në konferencë për shtyp pas mbledhjes së Qeverisë, Hajdari ka thënë se ankesat e naftëtarëve kanë qenë se s’ka naftë në stoqe, por sipas saj kjo s’qëndron. Ajo ka thënë se s’ka bllokadë për furnizim me naftë në vend dhe se s’e konsideron fer shitjen me çmim të ri të naftës që është importuar me çmim shumë më lirë kohë më parë.

“Ne jemi shtet që importojmë 90 për qind. Pra siç e tha edhe kryeministri ne s’mund t’i kontrollojmë por mund të marrim masa dhe kemi nisur, duke nisur nga nafta. Duke ditur se mund të ketë devijime të çmimeve në treg, përmes bashkëpunimit të Autoritetit të Konkurrencës tash do të identifikojmë marrëveshjet e përbashkëta të tregtarëve e produkteve në treg sepse nganjëherë thonë se s’kemi stoqe, por jam në vëmendje të afërt të shteteve të rajonit për të parë a kemi mundësi apo bllokadë për furnizim me naftë”, ka thënë ajo duke shtuar se në situatën aktuale s’mund të dëgjohen të gjitha kërkesat e naftëtarëve, por në qendër duhet të jetë qytetari.

Image

“Kemi dëgjuar se naftëtarët duan të ndryshojnë marzhën sepse sipas tyre dëmtohet shitësi me pakicë më shumë se ai me shumicë. Po i analizojmë stoqet dhe mundësitë e furnizimit që i kanë tani. Është rrugë e lirë nga Shqipëria dhe Maqedonia. Ndoshta kishte ngadalësim, por me këto shtete ne jemi siguruar që s’ka vend për t’u shqetësuar e për të manipuluar në treg se s’ka stoqe. Ne jemi në kujdes për qytetarin, për biznesin dhe shtetin. Duke pas interesin e qytetarëve që një biznes mund të shkojë në marzhë të lartë fitimi, dhe përmenda ngritjen e çmimit të berzës dhe kalkulimet jo nga çmimi i furnizimit, por nga i sotëm, kemi ardhur te marzha 4-6 dhe që tash është në rishqyrtim për të parë zbatimin dhe se si do të shkojë. Do të shtoj masat e kontrollit për zbatimin e këtij vendimi. I kam lënë disa ditë hapësirë analizës së stoqeve dhe pastaj do të veprojmë”, ka thënë tutje ajo.

Hajdari ka thënë se vendimi do të shqyrtohet pas analizës që del nga tregu. Ajo ka thënë se s’ka pasur diskutim për akcizën.

Pas nisjes së luftës në Ukrainë dhe rritjes së çmimeve të naftës në botë, në Kosovë për herë të parë një litër naftë kushton mbi 1.6 euro.