Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar trysni më të madhe mbi Serbinë për ta bindur që ta pranojë planin franko-gjerman. Me gjithë deklaratën e ambasadorit amerikan se njohja e ndërsjellë midis Kosovës e Serbisë aktualisht nuk është e mundur, shefi i ekzekutivit ka thënë se për normalizim të marrëdhënieve nevojitet një marrëveshje ndërkombëtarisht dhe ligjërisht e obligueshme, që në qendër ka njohjen reciproke
Pas paralajmërimeve për intensifikimin e përpjekjeve për dialogun midis Kosovës e Serbisë, liderët shtetërorë dhe udhëheqësit institucionalë kanë thënë se fqinji verior ka për synim që ta bllokojë procesin.
Megjithëkëtë, kryeministri Albin Kurti ka shprehur bindjen se arritja e njohjes së ndërsjellë është e mundur, po qe se i bëhet trysni Serbisë.
“Normalizimi ka nevojë për marrëveshje ndërkombëtarisht dhe ligjërisht të obligueshme, që njohjen duhet të ketë në qendër. Në Serbi, ministri i Jashtëm, dikur zëvendës i partisë së Millosheviqit më 6 nëntor pat deklaruar se pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar e kanë hedhur poshtë propozimin franko-gjerman. Problemi është në Beograd. Besoj se Brukseli, Parisi, Roma, Berlini, Londra, e Uashingtoni kanë mjaftueshëm fuqi të bëjnë trysni në Beograd. Roli i SHBA-së është edhe në mbështetje të propozimit franko-gjerman”, ka thënë Kurti në një konferencë për media të premten.
Por ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, pati deklaruar ditë më parë se njohja reciproke nuk është e mundur tani.
Pas largimit të barrikadave nga veriu i Kosovës, në SHBA dhe në BE kanë paralajmëruar intensifikim të përpjekjeve për t’i çuar palët drejt një marrëveshjeje përfundimtare. Për këtë arsye, javët e ardhshme do të qëndrojnë në Prishtinë dhe në Beograd zyrtarët e lartë amerikanë, të udhëhequr nga Këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet.
Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Chollet ka folur edhe për epilogun që duhet ta ketë marrëveshja mes dy vendeve.
“Shumë më tepër se që duhej nga energjia jonë është shpenzuar gjatë javëve të fundit për të shmangur përkeqësimin e krizës dhe përshkallëzimin e saj në diçka që askush nuk dëshironte ta shikonte, në dhunë. Në vend të kësaj, energjia diplomatike duhej përqendruar tek e ardhmja e Kosovës dhe e Serbisë, duhej diskutuar për propozimin për normalizim që ka paraqitur BE-ja, që do të ketë në bazë njohjen e ndërsjellë”, ka thënë ai.
Sa i përket Asociacionit të komunave më shumicë serbe, Chollet ka thënë se ky është prioritet për Shtetet e Bashkuara.
Zyrtarë në Beograd pretendojnë se tashmë kanë marrë garanci nga SHBA-ja se çështja e parë që duhet të adresohet në takimet e radhës është themelimi i Asociacionit.
Por në Qeverinë e Kosovës deri më tani, kanë refuzuar diskutimet për këtë temë, duke insistuar në marrëveshje me njohje të ndërsjellë.
Krahas amerikanëve, angazhimin rreth dialogut e ka konfirmuar edhe Britania e Madhe.
Një ditë pas emisarit britanik për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, në Prishtinë ka qëndruar të premten edhe sekretari i shtetit për Çështjet e Jashtme, Komonuelth dhe Zhvillim, David Lammy. Një prej temave të diskutuara gjatë takimeve të tij me liderët e shtetit ka qenë dialogu me Serbinë.