Ka 20 vjet që Habib Gashi e Ismet Halili banojnë këtu në Plemetin të Komunës së Obliqit.
Mes paragjykimeve dhe varfërisë, jeta për ta gjatë këtyre vjetëve nuk ka qenë aspak e lehtë, raporton KOHA.
E në kohën kur vendi po përballet me pandeminë COVID-19, Gashi tregon se jetesa për ta është rënduar.
Angazhimin herë pas here që kanë pasur si punëtorë në ndërtimtari gjatë kësaj periudhe janë detyruar ta ndërpresin.
Shkaku i koronavirusit ata nuk e kanë festuar Ditën ndërkombëtare të romëve, por thonë se kjo ditë për ta shërben si përkujtim se si të gjithë njerëzit janë të barabartë, porse jo gjithherë janë ndier të tillë në Kosovë.
Komuna e Obiliqit për të dytën herë ka dezinfektuar banesat sociale këtu në Plemetin.
Kryetari Xhafer Gashi thotë se mbështetja ndaj këtij komuniteti nuk ka munguar.
Në Komunën e Obiliqit, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në vitin 2011, janë mbi 300 romë, shumica e tyre jetojnë vetëm me asistencë sociale.