Panairi i parë i librit “Podujeva 2022” që është hapur të premten në kuadër të “Javës së Diasporës”, synohet të bëhet i përvitshëm.
Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Pajtim Balaj, ka thënë se qëllimi i këtij panairi është promovimi i librit dhe leximit, me theks të veçantë për ata që jetojnë jashtë vendit.
“Ka përafërsisht 15 vjet që nuk ka pasur panair të librit në Podujevë. Para luftës dhe pas luftës janë organizuar panaire të librit. Sivjet e kemi rikthyer Panairin e librit në Podujevë me qëllim të promovimit të librit dhe leximit, sidomos në kuadër të diasporës. Ky Panair besojmë se duhet të bëhet i përvitshëm. Sivjet ka nisur me pak, e vitet tjera synojmë ta zgjerojmë”, ka thënë për KOHËN, Pajtim Balaj.
Panairi është hapur nën një tendë në Sheshin e qytetit të Podujevës dhe është organizim i përbashkët i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport dhe Shoqatës “Pro Kult”.
Kryetari i kësaj shoqate, Fatmir Halimi, është shprehur i kënaqur me pjesëmarrjen e qytetarëve gjatë ditës së parë të Panairit.
“Paniri është hapur më 29 korrik dhe do të zgjasë 3 ditë, prej orës 9.00 deri 21.00. Jemi shumë të kënaqur sa i përket pjesëmarrjes së qytetarëve dhe po ashtu interesimit të tyre për librin. Në Panair po marrin pjesë 15 shtëpi botuese, si Prokultpress, Buzuku, Pema, Faik Konica, Artini, Berati, Magjia e librit, Sira, Jeta, Bard Boks, Shkrimtaret e Llapit, Lali, etj.”, ka thënë Fatmir Halimi për KOHËN.