Korrespondenti i Kohës në Bruksel, Augustin Palokaj në emisionin “Interaktiv” të KTV-së ka komentuar përmbajtjen e Strategjisë së Zgjerimit të publikuar sot nga Komisioni Evropian.
Palokaj ka thënë se në asnjë pjesë të Strategjisë nuk përmendet se Kosova është pjesë e zgjerimit, ashtu siç përmenden Serbia, Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia dhe Bosnjë e Hercegovina.
“Nuk ka vend për entuziazëm për askënd dhe as për Kosovën. Kjo as që duhet pritur”, ka thënë Palokaj.
“Në asnjë vend nuk thuhet se Kosova është pjesë e zgjerimit. Hapja e kapitujve, mbyllja e kapitujve, nënshkrimi i marrëveshjes, ratifikimi dhe anëtarësimi përmenden për shtetet tjera, por për Kosovën nuk përmenden këto”, ka shtuar ai.
Duke komentuar për përmendjen e Kosovës, Palokaj ka thënë se në draftin e kësaj Strategjie të muajve të mëparshëm nuk ishte përmendur obligimi i Kosovës për Gjykatën Speciale. Obligimet për Dhomat e Specializuara janë përmendur në Strategjinë e publikuar sot dhe sipas korrespondentit të Kohës, kjo është përfshirë për shkak të tentimeve për shfuqizimin e Speciales në Kosovë.
“Kosova përmendet vetëm për MSA-në, përmendet kryesisht për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, ka thënë Palokaj.
“Kosova përmendet për obligimet për Dhomat e Specializuara. Kjo vjen pas tentimeve për shfuqizimin e saj që ndodhën në Kosovë, por kjo nuk ishte përmendur në draftin e para disa muajve”, ka thënë veç të tjerash ai.