Pas një beteje shumëvjeçare me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Pallati i Rinisë dhe Sporteve, nga e mërkura i është kthyer nën menaxhim Komunës së Prishtinës.
Në vitin 2015, Kuvendi Komunal i Prishtinës kishte miratuar në mënyrë unanime kërkesën që Pallati i Rinisë të kalojë në Ndërmarrje Publike Komunale.
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka premtuar atëkohë përgatitjen e një plani aksional për rimëkëmbjen dhe përfundimin e projektit të Pallatit të Rinisë, renovimin e sallës së djegur, ndërtimin e Pishinës Olimpike dhe lidhjen e platosë së Pallatit me platonë e Grandit.
Pallati është ndërtuar pas një referendumi të banorëve të kryeqendrës më 1975. Me këtë projekt, 60 për qind e fondeve janë siguruar nga të ardhurat personale të banorëve të kryeqytetit dhe komunave vartëse.
Më 1977 është finalizuar ndërtimi i objektit të Pallatit në një hapësirë prej 14 hektarësh. I tërë kompleksi atëherë përbëhej nga qendra memoriale e të rinjve, salla universale me kapacitet prej 7 mijë vendesh, baseni olimpik, disa basene të vogla, fushës sportive për sporte të vogla, terrenit për futboll, volejboll, basketboll, tenis, hokej dhe hendboll, poligonit për atletikë dhe objekteve të tjera përcjellëse.
Më 25 shkurt 2000, ndërtesa u dëmtua rëndë nga një zjarr (më shumë, sot në “Kohën Ditore”).