Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Pakoja e ligjeve që FSK-në e bëjnë Ushtri e ka bazën në Kushtetutë

Në Çagllavicë, afër Prishtinës, po mbahet dëgjimi publik për tri projektligjet me të cilat FSK-ja mandatohet në Ushtri të Kosovës.

Dy anëtarë të Komisionit për Mbikëqyrje të FSK-së, deputetët Rexhep Selimi dhe Fatmir Xhelili, dhe kreu i këtij Komisioni, Haxhi Shala, kanë ardhur aty për të treguar se pakoja ligjore për transformimin e FSK-së në Ushtri është kushtetuese, raporton KTV-ja. Shala ka thënë që kanë ardhur në Çagllavicë për të dëgjuar edhe qytetarët nëse kanë ndonjë propozim që duhet të përfshihet në këto projektligje.

Deputeti Rexhep Selimi, ndërkaq, u ka thënë të pranishmëve se “përfaqësuesit tuaj në Kuvendin e Kosovës nuk po e bëjnë punën e tyre në përputhje me mandatin që ua keni dhënë”.

Siç është shprehur ai, “ata nuk po duan të marrin përgjegjësitë e tyre. Ne nuk jemi këtu për t’i zëvendësuar ata, por për t’ju treguar për FSK-në dhe për ta marrë mendimin tuaj rreth kësaj çështje”.

Ndërkaq, deputeti Fatmir Xhelili para të pranishmëve sqaroi se përmes këtyre tri ligjeve parashihet që brenda 10 vjetësh ta bëjmë FSK-në e tashme forcë që do të mbrojë integritetin territorial e sovranitetin e Kosovës. Do të jetë e është një forcë multietnike dhe e hapur për të gjithë. Siç tha ai, pjesë të saj janë të rinj nga të gjitha komunitetet dhe se kjo është forca e jonë e cila ka synim integrimin në NATO. Ka pasur presion që disa serbë ta braktisin atë, por ka të tillë që ende janë pjesë të saj. Edhe ju do të bindeni që në vitet e ardhshme do të jeni pjesë të saj/ Ardiana Thaçi.