Qytetarët e 5 komunave të Dukagjinit: Pejë, Istog, Klinë, Deçan dhe Junik, me 230 mijë banorë, ende duhet të udhëtojnë për në Prishtinë për një ekzaminim me rezonancën magnetike. Kjo ngase Spitali Rajonal i Pejës nuk e ka. Mungesa e këtij aparati të rëndësishëm për shëndetin e banorëve, ka qenë edhe temë e diskutimit në një takim të enjten pasdite në Spitalin e Pejës nga drejtori i këtij spitali, Skënder Dreshaj me drejtorë të Shëndetësisë të 5 komunave.
Sipas të dhënave të spitalit, gjysma e pacientëve që frekuentojnë në këtë spital janë nga Komuna e Pejës dhe gjysma tjetër nga 4 komunat e tjera, shkruan sot Koha Ditore.
E meqenëse asnjëri prej këtyre pacientëve nuk e gëzon mundësinë e ekzaminimit në raste nevoje me rezonancën magnetike në këtë spital, drejtuesit e spitalit kanë nisur iniciativën për të lobuar për sigurimin e këtij aparati nga, Qeveria, Ministria e Shëndetësisë, apo ndonjë donatorë tjetër.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)