13:21 - Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, është shprehur i bindur se seanca do të vazhdojë dhe se në të do të kalojë grupi i propozuar nga Qeveria për të udhëhequr dialogun me Serbinë.
“Grupi për dialog që është propozuar nga qeveria do të kalojë sot në Parlamentin e Kosovës.
Opozita ka të drejtën e vet, do të doja shumë që opozita të jetë pjesë e grupit dialogues. Për opozitën ne kemi ndarë vendet e tyre për dialog dhe i ftojmë që të rrinë këtu në Kuvend dhe ta votojnë”, ka thënë Pacolli para mediave, raporton KTV.
Qëndrimi i qeverisë, sipas tij, është i qartë se “ky grup nuk ka kompetenca që të flet për ndryshimin e kufijve gjegjësisht për ndërrimin e territoreve”.
“Unë besoj që Fatmir Limaj është ai që e udhëheq këtë grup qeveritar. Nëse pala serbe do të ketë shef presidentin e tyre, sigurisht se ne shef duhet ta kemi presidentin tonë”, theksoi Pacolli.
Seanca shtyhet për në orën 16:30
13:18 - Seanca e thirrur për në orën 9 me propozim të Qeverisë së Kosovës, është shtyrë për në orën 16:30, raporton KTV.
Deputetët largohen nga salla
12:59 - Deputetë të pushtetit, ndonëse filluan të hynin në sallë për të vazhduar seancën e orës 9, pas pak minutash dolën për t’u kthyer t’i marrin gjësendet e tyre personale.

Me gjasë tani është koha e drekës dhe seanca nuk do të vazhdojë për së paku edhe 1 orë.
Seanca rinis së shpejti
12:39 - Deputetët e partive në pushtet kanë nisur të hyjnë në sallën e seancave plenare ku pritet të vazhdohet seanca e propozuar nga Qeveria e Kosovës në lidhje me miratimin e ekipit negociator.
KTV merr vesh se seanca do të vazhdojë së shpejti.
Mospajtime brenda koalicionit qeveritar për seancën
12:17 - Pauza e zgjatur e Kuvendit të Kosovës ka të bëjë me mospajtimet brenda koalicionit qeveritar.
Burimet në Kuvend i kanë thënë KTV-së se PDK-ja po e kundërshton propozimin e deputetes së AAK-së , Donika Kadaj Bujupi që votimit të ekipit negociator t’i bashkohet edhe zotimi i Kuvendit që të mos diskutohet për integritetin territorial të Kosovës.
Siç mëson KTV-ja, propozimi i deputetes Kadaj Bujupi ka ardhur me kërkesën e kryeministrit Ramush Haradinaj.
Koalicioni qeveritar me ndihmën e deputetes së LDK-së, Teuta Rugova, arritën ta bëjnë kuorumin për nisjen e seancës, por ajo u ndërpre pas disa fjalimeve.
Kuvendi në pauzë
11:00 - Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, ka thënë se Kuvendi do të shkojë në pauzë rreth 15 minutëshe.
Pushteti mbështet ekipin negociator
10:31 - Memli Krasniqi, në emër të GP të PDK-së, tha se mbështesin ekipin negociator, siç ka bërë edhe AAK-ja.
Edhe shefi i GP të Nismës, Bilall Sherifi, i ka dhënë mbështetje miratimit të Kuvendit për ekipin negociator të Qeverisë, të udhëhequr nga Fatmir Limaj, ndërsa tha se vendit i duhet një platformë për këtë proces.
Deputeti Albert Kinolli nga 6+, në emër të GP-së, ka mbështetur propozimin e Qeverisë.
Veseli hap seancën, në sallë janë 61 deputetë
10:21 - Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka hapur seancën dhe ka njoftuar se në sallë janë 61 deputetë.
Kryeministri prezantoi emrat e ekipit negociues për dialogun me Serbinë, raporton Koha.net.
Ai tregoi se në këtë ekip kanë vende të rezervuara edhe partitë opozitare dhe shoqëria civile.
Një deputete shtrohet në emergjencë
10:19 - Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka njoftuar se një prej deputetëve të pozitës është shtruar në emergjencë, duke mos treguar se për kë bëhet fjalë.
Ai tha se për pasojë është shtyrë nisja e seancës së orës 9.
Ndërkaq, KTV merr vesh se kemi të bëjmë me deputeten e PDK-së, Mexhide Mjaku Topalli.
Teuta Rugova s’përfill vendimin e LDK-së, merr pjesë në seancën e Qeverisë
10:14 - Deputetja e LDK-së, Teuta Rugova, ka vendosur të mos e përfillë vendimin e LDK-së për të mos marrë pjesë në seancën Qeverisë.
Ajo tashmë është ulur në sallë.

Veseli njofton se për 5 minuta nis seanca
9:53 - Deputetë të partive të pushtetit, PDK, AAK, Nisma e AKR kanë hyrë sallën e Kuvendit të Kosovës ku po presin të bëjnë kuorumin për të nisur seancën rreth votimit të emrave të ekipit negociator të formuar dje nga Qeveria e Kosovës.
Në sallë, siç raporton KTV, janë gjithsejtë 51 deputetë në sallë, duke përfshirë edhe tre deputetë të Listës Serbe.
Kuorumin e bëjnë 61 deputetë, ndërsa për votim nevojitet mbi gjysma e tyre të marrin pjesë.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se për 5 minuta nis seanca ku do të shkohet direkt në votim, pa debat.
Haradinaj: As ne s’marrim pjesë në seancën e opozitës
9:33 - Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka konfirmuar se partitë në pushtet nuk do të marrin pjesë në seancën e opozitës ku pritet të votohet rezoluta për bisedime.
Haradinaj tha se meqenëse opozita s’po merr pjesë në seancën e Qeverisë, atëherë as partitë e pushtetit nuk do të marrin pjesë në seancën e opozitës.
“Si të marrin pjesë partitë e pushtetit në një seancë të opozitës, kur opozita s’merr pjesë në seancën tonë. Ata s’kanë nevojë të votojnë, por vetëm të marrin pjesë, të diskutojmë se çka u pengon. Mungesa e kuorumit është paaftësi e Kosovës për të ecur përpara. Ne kemi krizë në Kosovë, kemi gjendje ekonomike të rëndë, papunësi të lartë, por po punojmë të konsolidojmë vendin. Nuk kemi krizë siç thotë Hoti”, theksoi Haradinaj, raporton Koha.net.
Ai tha ndër të tjera se, “më shumë kam bërë unë punë për ruajte të territorit se krejt opozita bashkë”.
Kreu i qeverisë ritheksoi edhe njëherë se nuk ka as ndarje, as kufij të rinj e as shkëmbim territoresh.
Deputetët nisin të hyjnë në sallë
9:17 - Deputetë të partive të pushtetit kanë nisur të zënë vendet e tyre në sallën e Kuvendit të Kosovës për të marrë pjesë në seancën e thirrur nga Qeveria ku pritet të vihet në votim ekipi negociator i propozuar nga vetë qeveria.
Në sallë kanë hyrë edhe deputetë të Vetëvendosjes, por me gjasë ata vetëm po monitorojnë se çfarë po ndodhë brenda sallës.
Gjatë mëngjesit të sotëm, në ambientet e Kuvendit ka qëndruar edhe ambasadori amerikan, Greg Delawie i cili thuhet se ka takuar kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli.



Sot, dy seanca të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës
Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot në dy seanca të ndara, të jashtëzakonshme.
Seanca e parë është thirrur për në orën 9 dhe ajo mbahet me kërkesë të kryeministrit të Kosovës, në të cilët duhet të miratohet delegacioni i Qeverisë së Kosovës për dialog me Serbinë, transmeton Koha.net.
Mbledhja e dytë, po ashtu e jashtëzakonshme, e Kuvendit të Kosovës ishte thirrur për në orën dhjetë me kërkesë të opozitës në lidhje me dialogun për kufijtë.
Në seancën e sotshme të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, në orën 9, pikë e vetme e rendit të ditës është Shqyrtimi i Propozim-vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e Ekipit Negociator për Normalizimin e Marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
Në këtë ekip, kryeministri Haradinaj ka përfshirë Fatmir Limaj, kryesues, Enver Hoxhaj, Behgjet Pacolli, Mahir Yagcilar, Avni Arifi dhe Dardan Gashi.
Mbledhja tjetër, me kërkesë të opozitës, i kushtohet bisedimeve që po i zhvillon presidenti i vendit, Hashim Thaçi, me homologun serb, Aleksandar Vuçiq, në lidhje me herë korrigjimin e kufijve, herë për shkëmbimin e territoreve midis Kosovës e Serbisë.
Në që të dy këto seanca pritet debat i ashpër.