Shefat e Grupeve Parlamentare kanë vendosur që në seancën e ardhme menjëherë të futet për votim propozimi i Partisë Socialdemokrate për diskutim rreth dialogut me Serbinë.
Kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, u mor vesh me shefat e Grupeve Parlamentare që sot të vazhdohen pikat e rendit të ditës të papërfunduar nga shtatë seanca. Ndërsa tha se ka pajtueshmëri që diskutimi për dialogun të bëhet në seancën e ardhshme, raporton KTV.
Seanca e sotshme e Kuvendit të Kosovës ka nisur me kërkesën për mocion procedural, për t’u diskutuar dhe pastaj miratuar një rezolutë për dialogun, në të cilën do të kërkohet që kompetencat për dialog t’i ketë Kuvendi dhe jo presidenti. Deputeti i Partisë Socialdemokratike, Visar Ymeri, ka shprehur shqetësimin për dialogun me Serbinë, duke thënë se institucionet e Kosovës po vazhdojnë dialogun pa strategji dhe pa vënien e vijave të kuqe për temat e pa negociueshme. Ai kërkoi që sot të diskutohet në Kuvend për çështjen e dialogut.
Propozimin e Ymerit e përkrahën deputetët nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe ata të Lëvizjes Vetëvendosje.
Shefi i Grupit Parlamentar të LVV-së, Glauk Konjufca tha se kjo do të jetë hera e fundit që do të votohen nismat e PSD-së, nëse këta nuk i ndërpresin deklaratat fyese ndaj partisë së tij.
Nisma Socialdemokrate propozoi që ky debat të mbahet pas votimit të projektligjeve.
Lidhur me urgjencën e propozimit të Ymerit, u tall shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i cili tha se çështja e dialogut nuk është aspak urgjente, sepse është diskutuar disa herë në Kuvend.
AAK-ja tha se me këtë propozim PSD po mundohet të zbehë aktin e djeshëm, atë të liberalizimit të vizave.
Lidhur me këtë çështje u deklarua kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, i cili tha se duke pasur parasysh rëndësinë e temës, deputetët do duhej të merrnin kohën e duhur për t’u përgatitur sa më mirë.
Me një pajtueshmëri mes grupeve parlamentare ky mocion u vendos që të votohet pas përfundimit të 15 pikave të mbetura nga seancat e kaluara.