Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, pak minuta pasi në Facebook njoftoi se është takuar me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trumpin, ka postuar një video në të cilën shihet vetëm duke shtrënguar duart kalimthi me presidentin amerikan.
Në videon e postuar në Facebook, Pacolli këshillohet nga një zyrtar i Kosovës që ta shtrëngojë dorën me Trumpin të cilin ministri nga Kosova po e priste në një nga korridoret e selisë së Kombeve të Bashkuara, transmeton Koha.net.
“Jepja dorën Trumpit, jepja dorën Trumpit”, dëgjohet një zyrtar teksa e përshëndet presidentin amerikan në gjuhën angleze.
Videoja e publikuar zëvendësoi postimin e Pacollit në të cilin thoshte se është takuar me presidentin Donald Trump.