Arbëri

Pacolli nuk certifikohet, s’do të garojë për të parin e Prishtinës

Selim Pacolli nuk është certifikuar si kandidat për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet lokale të tetorit. Në një njoftim në Facebook, Pacolli i Aleancës Kosova e Re ka thënë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka certifikuar kandidaturën e tij sepse, bazuar në një aktvendim të vitit 2019, e kishte bërë deklarimin e pasurisë 48 orë pas përfundimit të afatit ligjor për deklarim.

“Me saktë, afati ishte të Premten, ndërsa deklarimi të Hënën, në orën 8 të mëngjesit në prezencën time fizike. Kjo vonesë ka ndodhë si pasojë e udhëtimit tim për çështje shëndetësore jashtë vendit. Edhe pse në esencë ky është një vendim arbitrar dhe i palogjikshëm, vendimet e gjyqësorit janë të shenjta dhe të padiskutueshme”, ka thënë ai si arsyetim se përse s’kishte bërë deklarimin e pasurisë brenda afatit ligjor.

Tutje, Pacolli ka paralajmëruar se megjithatë AKR-ja do të ketë kandidat për kryetar të Prishtinës.

“U betohem që edhe pse nuk do të jem zyrtarisht kandidat për kryetar të Prishtinës, dëshira dhe angazhimi im për qytetarët e Prishtinës është edhe më i madh. Unë do të ju qëndroj besnik dhe do ti mbështes ne çdo hap të gjithë kandidatët e listës sonë për kuvendin komunal, e në veçanti kandidatin e subjektit tim AKR për kryetar të Prishtinës. Ju siguroj se zotimi im për qytetarët është po aq i vlefshëm dhe nuk do të abstenojë por do të vazhdoj angazhimin tim sikurse para marrjes së këtij lajmi. Do të vazhdojë implementimin e të gjitha projekteve të planifikuara për këtë mandat, dhe projektet e parapara për mandatin vijues, e që janë jetike për qytetin tonë”, është shprehur nënkryetari i Prishtinës.

https://www.koha.net/arberi/285432/kqz-30-subjekte-politike-me-kandidate-qe-kane-probleme-me-ligjin/