Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Pacolli: Deklarata si kjo e zv/kancelarit austriak mund të krijojë situata që sjellin gjakderdhje në Kosovë

Sot zëvendëskancelari i Austrisë, Heinz-Christian Strache, ka thënë se Serbia ka forcuar ‘shpinën’ e vetë në raport me Kosovën, dhe se “Kosova padyshim është pjesë e Serbisë”.

Pas kësaj, ka reaguar ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, për deklaratat e të cilit tha se janë të pamatura dhe nuk kontribuojnë në zgjidhjen e asnjë situate të acaruar në Kosovë.

Postimi i plotë i Pacollit në Facebook:

Deklaratat sikurse kjo e zv. kancelarit te Austrisë janë të pamatura dhe nuk kontribuojnë në zgjidhjen e asnjë situate të acaruar në Kosovë. Ne falënderojmë Austrinë për kontributin e madh që ka dhënë në Kosovë dhe rajon por kundërshtojmë fuqishëm deklaratën e zvkancelarit duke konsideruar se ajo deklarate është dhënë pa e njohur mirë situatën reale në Kosovë. Çdo iniciativë e kësaj natyre mund ta hapë “kutinë e pandorës” dhe mund të krijojë situata që sjellin gjakderdhje. Kosova ka shpallur pavarësinë e vet dhe është njohur nga shumica e shteteve të botës, andaj fokusi i të gjithëve duhet të jetë lufta kundër krimit të organizuar dhe siguria e mirëqenia e të gjithë qytetarëve në veri të Kosovës. Serbia duhet të heqë dorë nga financimi i grupeve kriminale të serbëve në atë pjesë dhe bashkësia ndërkombëtare duhet ta ushtrojë presionin e vet në këtë drejtim. Institucionet e Kosovës kanë kapacitetin e duhur që të vendosin rend dhe ligj në veri të vendit.

Lexo edhe: Zëvendëskancelari austriak thotë se ‘Kosova padyshim është pjesë e Serbisë’